Vushtrri, Dita Botërore e Diabetit shënohet me aktivitete të shumta

Vushtrri, Dita Botërore e Diabetit shënohet me aktivitete të shumta
14.11.2024

Dita Botërore e Diabetit, e cila shënohet çdo vit më 14 nëntor, ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin dhe edukimin për diabetin, duke informuar individët mbi parandalimin, diagnostikimin dhe menaxhimin e kësaj sëmundjeje që po bëhet një shqetësim gjithnjë e më global për shëndetin.

Aktivitetet në këtë ditë janë të ndryshme dhe shërbejnë për të ndihmuar individët të kuptojnë më mirë këtë sëmundje dhe të marrin masa për ta kontrolluar atë.

Në spitalin e Vushtrrisë, për këtë ditë, u organizuan aktivitete, duke filluar me një ecje maratonike, një aktivitet tradicional që shërben për të sensibilizuar komunitetin mbi rëndësinë e aktivitetit fizik për parandalimin e diabetit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Vushtrria në RTK, Edita Blakaj, endokrinologe, e theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve sensibilizuese.

“Dita sot ka filluar me një ecje maratonike  që e kemi si traditë për këtë ditë në Vushtrri, pastaj do të vazhdojmë më simpozium, pastaj me ofrimin e matjes së glikemisë të rastit dhe matjes së tre mujorit të fundit  falas, ofrimin e fletushkave për vetëdijësim falas dhe kështu kjo ditë do të shënohet me shumë aktivitete tjera sensibilizuese. Në këtë fushatë kemi edhe shumë ekspertë dhe profesorë të ndryshëm nga jashtë’, tha Blakaj për RTK.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që u përmend gjatë këtij aktiviteti ishte ndikimi i diabetit tek gratë shtatzëna, një çështje që është gjithnjë e më e rëndësishme të kuptohet, pasi diabeti mund të ndikojë negativisht tek nënat dhe fëmijët e tyre.

Kurse Gongje Shala, interniste në qendrën e Diabetologjisë në Dyzeldorf të Gjermanisë, theksoi se një në dhjetë gra shtatzëna zhvillojnë diabet gjatë shtatzënisë, dhe kjo mund të sjellë komplikime të rënda, si për nënën ashtu edhe për beben.

Ajo shtoi se ndonëse diabeti mund të largohet pas lindjes, por rreziku është që nënës t’i zhvillohet diabeti në vazhdimësi dhe që bebja të preket më vonë.

Në këtë Ditë Botërore të Diabetit, është e rëndësishme që të gjithë të kuptojnë rëndësinë e monitorimit të shëndetit, përfshirë kontrollet e glikemisë dhe konsultimet me mjekët, si një hap i parë për parandalimin dhe menaxhimin e diabetit.

Të fundit

Më të lexuarat