Vitia viziton Gjakovën, thirrje për ekzaminim falas me mamografi për gratë e komunitetit rom

Në kuadër të projektit për mamografinë mobile në komunat e Kosovës, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, së bashku me Ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, vizituan sot lagjen Kolloni në Komunën e Gjakovës. Ky projekt ka për synim të ofrojë akses më të lehtë për ekzaminimet e hershme të kancerit të gjirit për komunitetet që jetojnë në zona më të largëta dhe të kufizuara nga shërbimet mjekësore të specializuara. Lagjja Kolloni, kryesisht e banuar nga komuniteti rom, është ndalesa e radhës për këtë nismë të rëndësishme.
Në këtë vizitë, Ministri Vitia bëri thirrje për të gjitha gratë e kësaj lagjeje që të shfrytëzojnë mundësinë për një ekzaminim falas me mamografi. Ai nënvizoi rëndësinë e vetëkontrollit, vizitave të rregullta te mjeku familjar dhe ekzaminimeve të specializuara me mamografi për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, duke theksuar se diagnostikimi i hershëm është një hap kyç në parandalimin dhe trajtimin e suksesshëm të kësaj sëmundjeje.
“Vetëkontrolli, vizitat tek mjeku familjar dhe mamografia mbesin metoda thelbësore për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku,” tha Ministri Vitia.
Kjo nismë për mamografinë mobile është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të qasjes në shërbime shëndetësore për komunitetet më të prekura dhe për të gjithë gratë në Kosovë. Ajo synon jo vetëm të rrisë ndërgjegjësimin për shëndetin e gjirit, por edhe të inkurajojë kontrolle të rregullta që mund të shpëtojnë jetë.
Mamografia mobile do të vazhdojë rrugëtimin e saj nëpër komunat e Kosovës, duke siguruar që çdo grua, pavarësisht vendbanimit apo përkatësisë komunitare, të ketë akses të barabartë në kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen ndaj kancerit të gjirit.