Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se jemi afër zbatimit të Ligjit për çmimet e barnave megjithëse ka pasur sfida.
“Ligji për Çmimin e Barnave, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Përcaktimin e Çmimit të Barnave në gushtin e vitit të kaluar, përkundër shumë sfidave, ky ligj është në rrugë të mirë për ta nisur zbatimin e plotë. Kjo është një nga çështjet më të rëndësishëm në reformën në shëndetësi. Meqë një proces i tillë po bëhet për herë të parë në vendin tonë, ka pasur edhe sfida, por edhe vëmendjen tonë në çdo hap të kryer”, tha Vitia.
Ai foli edhe për mosvotimin e Ligjit për Fertilizim. Tha se me moskalimin e tij çiftet harxhojnë mijëra euro.
“Ligji për frytimin e asistuar mjekësor po bëhet më shumë se një vit e gjysmë që nuk po kalon në parlament në lexim të dytë. Përkundër të gjitha kritikave dhe keqkuptimeve ky ligj plotëson kriteret kryesore për një bazë të mirë për këtë çështje kaq të rëndësishme për çiftet tona që të kemi mundësinë të vëmë në binarët ligjorë me sanksione përkatëse, por jo vetëm”, pohoi ai.
Ndër të tjera, ai theksoi se nuk ka asnjë arsye që ky ligj të mos votohet dhe kërkoi nga deputetët që në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës ta mbështesin këtë ligj.
“Sa i përket Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, tanimë, duke iu falënderuar këtij komisioni, shpresoj se shumë shpejt të procedohet në parlamentin e Republikës. U bëj thirrje të gjithë deputetëve ta votojnë këtë ligj pa vonesa sepse është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sistemin tonë shëndetësor”, tha Vitia.
Ministri Vitia ka folur edhe për investimet nëpër klinikat e QKUK-së, duke bërë me dije se ato kanë ndikuar në jetën e pacientëve.
“Në Klinikën e Onkologjisë kemi investuar në disa fusha me aparaturë, barna esenciale dhe infrastrukturë. Lista me barna esenciale është rritur mbi 5 milionë euro. 5.5 milionë euro janë investuar në Gjinekologji, me nga dy shtretër në dhoma, është vendosur klimatizim dhe për herë të parë është bërë digjitalizimi nëpër ambulanca specialistike. Në Klinikën e Urologjisë kemi investuar 1.2 milion euro. Për herë të parë është instaluar thirrja për infermierë dhe janë riorganizuar edhe sallat operative. Prej dy sallave operative, tani janë katër sosh”, u shpreh Vitia.
Vitia: Çdo projekt i planifikuar tanimë është në proces të pakthyeshëm
Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka filluar mbledhjen. Para këtij komisioni po raporton ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Minsitri Vitia tha se çdo projekt i planifikuar tanimë është futur në proces të pakthyeshëm.
Vitia në mbledhjen e këtij komisioni tha se “gjatë raportimit të 2 shkurtit të këtij viti kemi diskutuar bashkërisht për projektet që i kemi pasur të planifikuara për vitin 2024”. Sipas tij, shumica e tyre tashmë janë kryer dhe çdo projekt i planifikuar tanimë është futur në proces të pakthyeshëm.
Ai theksoi se “atë që e kam thënë edhe më herët do ta theksoj përsëri për ju deputetë, se proceset reformatore janë shumë të rëndësishme të jenë me nisma të bazuara në evidencë dhe rezultate të pakthyeshme që po mundohemi t’i bëjmë aktualisht”.
Ndër të tjera, Vitia tha se sa i përket legjislacionit, deri më tani përmes qeverisë janë proceduar katër ligje dhe njëzet akte nënligjore nga Ministria e Shëndetësisë, si: Ligji për Çmimin e Produkteve Mjekësore, Ligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse, Projektligji për Sigurime të Detyrueshme Shëndetësore, Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor i cili është aprovuar tani në parim edhe nga Kuvendi i Republikës.