Sukses ndërkombëtar nga Prof. Dr. Venera Berisha-Muharremi: Kosova në mesin e pesë shteteve lidere për Fotobiomodulim të gjëndrës tiroide

Prof. Dr. Venera Berisha-Muharremi ka ndarë me ndjekësit e saj një arritje të jashtëzakonshme për shkencën dhe mjekësinë kosovare: Kosova është renditur në mesin e pesë shteteve në botë që aplikojnë me sukses trajtimin inovativ të gjëndrës tiroide përmes fotobiomodulimit me laser.
Në një postim publik në Facebook, Prof. Berisha-Muharremi shprehet: “Kur shkenca dhe pasioni bashkohen, ndodhin ndryshime që lënë gjurmë!”. Falë angazhimit të saj të palodhshëm dhe punës kërkimore në këtë fushë, ajo ka arritur të vendosë Kosovën në hartën botërore të inovacionit mjekësor.
Kjo arritje nuk ka kaluar pa u vlerësuar nga komuniteti shkencor ndërkombëtar. Prof. Berisha-Muharremi është ftuar të ligjërojë në kongrese të rëndësishme në mbarë botën, përfshirë ngjarje prestigjioze në Osaka (Japoni), Florida (SHBA), Dubai (EBA), dhe së fundmi edhe nga dy qendra të mëdha shkencore: Shanghai (Kinë) dhe Boston (SHBA).
Megjithëse angazhimet e shumta nuk i lejojnë pjesëmarrjen në të gjitha ftesat për këtë vit, ajo thekson se atje ku do të marrë pjesë, do ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet dhe profesionalizëm. “Krenare të përfaqësoj vendin tim 🇽🇰”, përfundon ajo.
Ky sukses vjen si dëshmi e fuqisë së dijes, përkushtimit dhe vizionit për të sjellë risi që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e pacientëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë botën.