Sukses i shkencës kosovare: Dr. Kujtim Thaçi publikon studim inovativ në bashkëpunim me Harvard Medical School

Sukses i shkencës kosovare: Dr. Kujtim Thaçi publikon studim inovativ në bashkëpunim me Harvard Medical School
06.05.2025

Një arritje e jashtëzakonshme në fushën e shkencës dhe mjekësisë vjen këtë herë nga Kosova, ku Dr. Kujtim Thaçi ka shënuar një sukses të rrallë ndërkombëtar. Si autor i parë, Dr. Thaçi ka publikuar një punim shkencor në bashkëpunim me institucionin e njohur botëror Harvard Medical School, duke vendosur kështu Kosovën në hartën e kërkimeve shkencore globale.

Studimi është publikuar në revistën prestigjioze Glycoscience & Therapy, të botuar nga Chinese Academy of Sciences, dhe trajton një temë të avancuar në fushën e imunologjisë dhe mjekësisë neonatale: “Roli i glikozilimit të immunoglobulinës IgG në diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të Hemokromatozës neonatale.”

Ky punim paraqet një qasje inovative dhe është hera e parë që kjo tematikë trajtohet në mënyrë kaq të thelluar dhe gjithëpërfshirëse, duke hapur perspektiva të reja për zhvillimin e metodave diagnostikuese dhe terapeutike në menaxhimin prenatal dhe postnatal të kësaj sëmundjeje të rrallë por potencialisht të rrezikshme për jetën e foshnjave të sapolindura.

Ky studim është rezultat i një pune të gjatë shkencore, dhe jam thellësisht i nderuar që kontributi im është vlerësuar në nivel ndërkombëtar nga një institucion si Harvard dhe Chinese Academy of Sciences,” – është shprehur Dr. Thaçi me rastin e publikimit.

Në të njëjtën kohë, ai ka bërë një apel të qartë për komunitetin shkencor dhe mjekësor që ky punim të lexohet dhe studiohet me vëmendje të veçantë, sidomos nga imunologët, pediatrit dhe reumatologët, për shkak të ndikimit potencial klinik që mbart për të ardhmen e kujdesit shëndetësor neonatal.

Dr. Thaçi ka shprehur falënderime të veçanta për institucionet dhe programet që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, përfshirë Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, The Fulbright Program, United States-Kosovo Educational Exchange Board (USKEB) dhe KUSA.

Ky sukses është jo vetëm një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar, por edhe një shembull frymëzues për gjeneratat e reja të studiuesve dhe profesionistëve të shëndetësisë në Kosovë. Një dëshmi se pasioni për dijen dhe përkushtimi ndaj kërkimit shkencor mund të kapërcejnë kufijtë dhe të sjellin kontribute reale në shkencën globale.

Të fundit

Më të lexuarat