Spitali i përgjithshëm në Pejë bëhet institucioni i parë publik me aparat laseri për trajtime urologjike në Kosovë

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve shëndetësore, duke u bërë institucioni i parë publik në Kosovë që ofron trajtime urologjike me aparat laserik. Kjo arritje u mundësua falë iniciativës së Konsullit të Austrisë në Pejë, z. Abdyl Çetaj, dhe ndihmës së çmuar të Prof. Alfred Hold, i cili kontribuoi në sigurimin e kësaj pajisjeje moderne.
Aparati i ri laserik do të përdoret për:
Deri më sot, trajtimi i këtyre problemeve shëndetësore është bërë vetëm përmes ndërhyrjeve kirurgjikale të hapura, që shpesh kërkonin kohë të gjatë rehabilitimi dhe bartnin rreziqe më të larta për pacientët. Me këtë teknologji të avancuar, pacientët do të përfitojnë nga trajtime më të lehta, më pak invazive dhe me kohë shumë më të shkurtër të shërimit.
Donacioni i aparatit laser u pranua zyrtarisht nga drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Dr. Fahri Hasani, dhe ish-drejtori, Dr. Fazli Shala, i cili kishte bërë kërkesën për sigurimin e kësaj pajisjeje. Të dy drejtuesit, në emër të institucionit, shprehën mirënjohje të thellë për kontributin e z. Çetaj dhe Prof. Hold, duke e vlerësuar këtë donacion si një ndihmesë me rëndësi të veçantë për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve.
Në shenjë falënderimi dhe respekti, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ndau mirënjohje për z. Abdyl Çetaj dhe Prof. Alfred Hold për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në përparimin e sistemit shëndetësor vendor.
Ky zhvillim përfaqëson një hap të madh përpara në drejtim të ofrimit të shërbimeve moderne mjekësore dhe rritjen e cilësisë së trajtimit për pacientët në rajonin e Pejës dhe më gjerë.
Spitali dhe komuniteti falënderojnë me zemër z. Çetaj dhe Prof. Hold për këtë dhuratë të çmuar dhe u dëshirojnë shëndet e suksese të mëtejshme në punën dhe jetën e tyre.