Spitalet Rajonale dhe QKUK-ja rrezikojnë të mbesin pa IT, për shkak të pagave të ulëta

Është ka raportuar edhe më herët për rrezikun që institucionet shëndetësore publike, veçanërisht Spitalet Rajonale dhe QKUK, të mbesin pa staf të fushës së Teknologjisë së Informacionit (IT).
Shkak kryesor për këtë situatë mbeten pagat e ulëta dhe koeficienti i pamjaftueshëm i përcaktuar me Ligjin e Pagave.
Në spitalet e Gjakovës, Pejës dhe Mitrovicës, disa punonjës të IT-së tashmë janë larguar nga puna, ndërsa situata pritet të përkeqësohet edhe në dy spitale të tjera rajonale dhe në QKUK, ku punonjësit e IT-së po shqyrtojnë dorëheqjen e tyre.
Këto profile janë të trajnuara dhe me përvojë në sistemin shëndetësor, duke pasur njohuri specifike për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve kritike të shërbimeve mjekësore. Me largimin e tyre, spitalet rrezikojnë të humbasin ekspertizën e akumuluar ndër vite, duke krijuar boshllëqe të mëdha në menaxhimin e infrastrukturës teknologjike.
Me rritjen e kërkesës për profesionistë të IT-së në tregun privat dhe pagat më konkurruese në këtë sektor, sektori publik duket se po humb interesin për specialistët e kësaj fushe.
Kjo ndikon drejtpërdrejt në procesin e digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore, përfshirë edhe funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh), i cili është jetik për menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për pacientët.