Sot shënohet dita botërore e hipertensionit – Thirrje për kujdes dhe vetëdijesim në Kosovë

Çdo vit, më 17 maj, shënohet Dita Botërore e Hipertensionit, një ditë kushtuar ndërgjegjësimit për një prej kërcënimeve më të mëdha dhe më të heshtura për shëndetin publik – shtypjen e lartë të gjakut. Nën moton e sivjetme “Matni me saktësi shtypjen e gjakut, kontrolloni atë, jetoni më gjatë”, fushata globale synon të theksojë rëndësinë e matjes së rregullt dhe të saktë të presionit të gjakut si hap kyç në parandalimin dhe menaxhimin e kësaj gjendjeje.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, hipertensioni paraqet një ndër problemet shëndetësore më serioze edhe në vendin tonë. Vetëm gjatë vitit 2023 janë regjistruar 20,472 raste të reja, duke e renditur hipertensionin si sëmundjen më të përhapur kronike jomjekësore, me një përqindje prej 50.6% ndaj dhjetë sëmundjeve më të shpeshta të këtij lloji.
Në nivel global, më shumë se një miliard njerëz jetojnë me hipertension. Ai është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare, duke çuar në sulme në zemër, goditje në tru, dështim të zemrës si dhe dëmtime të rënda kronike të veshkave. Sëmundjet kardiovaskulare, në tërësi, përbëjnë ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve të parakohshme në botë.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të jenë të kujdesshëm ndaj shëndetit të tyre përmes matjes së rregullt të shtypjes së gjakut dhe konsultimit me profesionistët shëndetësorë kurdo që është e nevojshme. Matja e saktë dhe e vazhdueshme është hapi i parë për diagnostikimin dhe menaxhimin me sukses të hipertensionit.
Hipertensioni shpesh quhet edhe “vrasësi i heshtur”, pasi mund të mos japë simptoma për vite të tëra, ndërkohë që dëmton organet vitale të trupit. Prandaj, ndërgjegjësimi, edukimi dhe veprimet preventive janë jetike. Me matje të rregullta, ushqyerje të shëndetshme, aktivitet fizik dhe shmangie të stresit dhe substancave të dëmshme si duhani dhe alkooli, rreziku i komplikimeve mund të ulet ndjeshëm.
Shëndeti është mbi të gjitha. Kjo ditë na kujton se kujdesi për veten fillon me veprime të thjeshta, por me ndikim të madh. Matni presionin e gjakut. Kontrolloni atë. Jetoni më gjatë.