ShSKUK përfiton pajisje të avancuar mjekësore për kujdesin e fëmijëve, donacion nga KFOR-i italian

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka pranuar një pajisje të avancuar mjekësore nga Regjimenti i Karabinierëve të KFOR-it Italian, e cila synon të përmirësojë ndjeshëm kujdesin për pacientët e vegjël në Repartin Intensiv të Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Pajisja e dhuruar, një sistem i integruar për plazmaferezë dhe menaxhim të vazhdueshëm të lëngjeve për terapi zëvendësuese renale, është projektuar për të ndihmuar fëmijët që kanë nevojë për terapi të vazhdueshme në njësinë e kujdesit intensiv.
Në emër të ShSKUK-së, pajisjen e pranoi drejtori i Përgjithshëm, Elvir Azizi, dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, të cilët shprehën mirënjohje për KFOR-in italian për këtë donacion të vlefshëm. Kolonel Massimo Rosati, komandanti i Regjimentit MSU të KFOR-it, e dorëzoi pajisjen në një ceremoni zyrtare, duke theksuar përkushtimin e KFOR-it për të mbështetur sistemin shëndetësor të Kosovës dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve.
Pajisja ka kaluar të gjitha procedurat e donacionit përmes Zyrës së Donacioneve në ShSKUK, duke përfshirë bashkëpunimin e drejtoreshës së Klinikës së Pediatrisë, Dr. Violeta Grajqevci-Uka, e cila ndihmoi në sigurimin e një kalimi të suksesshëm dhe efikas të kësaj pajisjeje të domosdoshme.
Ky donacion i rëndësishëm jo vetëm që do të rrisë cilësinë e kujdesit për fëmijët që trajtohen në Klinikën e Pediatrisë, por gjithashtu përfaqëson një hap tjetër në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare për sistemin shëndetësor të vendit.
/Shendeti.net/