SHSKUK mohon dezinformatat: Furnizimi me tretësira për infuzion është i qëndrueshëm

SHSKUK mohon dezinformatat: Furnizimi me tretësira për infuzion është i qëndrueshëm
03.03.2025

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka reaguar ndaj dezinformatave të përhapura në publik, duke sqaruar se nuk ka mungesë të tretësirës për infuzion (NaCl 0.9% – 500 ml) në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme.

Sipas njoftimit zyrtar, ShSKUK ka pasur një furnizim të qëndrueshëm me këtë produkt jetik dhe ka siguruar shpërndarjen e tij në të gjitha institucionet që menaxhon. Gjatë muajit janar 2025, në stok kanë qenë 54,610 copë tretësirë për infuzion, të cilat janë shpërndarë rregullisht në QKUK dhe spitalet rajonale. Po ashtu, në muajin shkurt janë furnizuar edhe 16,200 copë të tjera, duke garantuar që në asnjë moment nuk ka pasur mungesë të tyre.

Përveç tretësirës për infuzion, ShSKUK njofton se disponon sasi të mjaftueshme edhe me sistemet e infuzioneve, kanilat, ampulat e deksametazonit dhe diklofenakut, të cilat vazhdojnë të shpërndahen rregullisht në të gjitha njësitë spitalore.

Institucioni thekson se furnizimi i ardhshëm do të përfshijë mbi 80,000 copë tretësira për infuzion, duke siguruar vazhdimësinë e shërbimeve shëndetësore pa asnjë pengesë.

ShSKUK apelon te mediat, gazetarët dhe shoqëria civile që, para se të shpërndajnë informata të paverifikuara, të kërkojnë informacionin zyrtar dhe të konsultohen me Sektorin për furnizim me barna dhe material shpenzues. Gjendja e furnizimit mund të verifikohet në çdo moment si në këtë sektor, ashtu edhe në klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale.

Ky furnizim i qëndrueshëm është rezultat i një planifikimi dhe angazhimi të kujdesshëm nga ana e ShSKUK-së, me qëllim sigurimin e shërbimeve cilësore për të gjithë pacientët në Kosovë.

Të fundit

Më të lexuarat