SHSKUK: Mbi 16 mijë rezonanca magnetike të kryera në vitin 2024

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka realizuar mbi 16 mijë Rezonanca Magnetike (MRI) gjatë vitit 2024, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare, ky progres është rezultat i investimeve të bëra në aparaturën diagnostike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në dy spitalet e përgjithshme, atë të Prizrenit dhe Pejës. Këto përmirësime teknologjike kanë kontribuar në rritjen e kapaciteteve të shërbimeve mjekësore dhe reduktimin e listës së pritjes për pacientët që kanë nevojë për këtë ekzaminim.
Statistikat tregojnë se në QKUK janë kryer mbi 12 mijë MRI, ndërsa në Spitalin e Pejës mbi 2 mijë e 500 dhe në Spitalin e Prizrenit mbi 1 mijë e 500. Ky zhvillim pozitiv thekson përkushtimin e institucioneve shëndetësore për përmirësimin e shërbimeve dhe ofrimin e kujdesit sa më efikas për pacientët.
SHSKUK mbetet e përkushtuar për të avancuar kapacitetet e saj mjekësore dhe për të siguruar shërbime shëndetësore më cilësore për qytetarët e Kosovës.