ShSKUK mban mbledhjen e gjashtëdhjetë të Bordit Drejtues, diskutohen zhvillimet e fundit dhe proceset e reja të punësimit

Dje është mbajtur mbledhja e gjashtëdhjetë e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e udhëhequr nga Dr. Dren Boshnjaku, kryesues i Bordit. Në hapje të mbledhjes, Dr. Boshnjaku prezantoi rendin e ditës dhe u dha mundësinë anëtarëve të propozonin pika shtesë për diskutim.
Në vazhdim, fjala i kaloi drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Elvir Azizi, i cili raportoi mbi progresin e arritur së fundmi në kuadër të institucionit. Drejtori Azizi njoftoi se është përmbyllur procedura e punësimit për mjekë të profileve të ndryshme dhe për infermierë, të cilët, pas një analize të brendshme, janë shpërndarë në klinika të ndryshme dhe në Spitalet e Përgjithshme për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
Një tjetër arritje e përmendur ishte procesi i licencimit të shërbimit të dozimetrisë në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë. Drejtori Azizi njoftoi se, pas përfundimit të licencimit, mbikëqyrja e dozimeve të rrezatimit do të realizohet nga ky institucion i specializuar, duke përmirësuar kështu sigurinë për punonjësit shëndetësorë të ekspozuar ndaj rrezatimit në punën e tyre.
Gjatë diskutimeve, anëtarët e Bordit u interesuan për pozitat që janë aktualisht të mbuluara nga ushtrues detyre, si dhe për procesin e punësimit të mjekëve të papunë në Spitalet e Përgjithshme. Drejtori Azizi informoi anëtarët se përgatitja e konkurseve për pozitat me ushtrues detyre ka filluar dhe, sipas njoftimeve nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, këto konkurse pritet të shpallen së shpejti.
Në lidhje me punësimin e mjekëve specialistë në Spitalet e Përgjithshme, drejtori Azizi sqaroi se ShSKUK ka pranuar kërkesat nga të gjitha njësitë, dhe procesi i analizës nga drejtoria shëndetësore është duke u zhvilluar. Kërkesat do të procedohen me prioritet, bazuar në nevojat dhe mundësitë që disponon ShSKUK, për të plotësuar më mirë kërkesat e spitaleve dhe për të fuqizuar kujdesin shëndetësor në vend.