ShSKUK dhe Gazi Universiteti i Ankarasë nisin hapat për bashkëpunim strategjik në shëndetësi

ShSKUK dhe Gazi Universiteti i Ankarasë nisin hapat për bashkëpunim strategjik në shëndetësi
06.05.2025

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) mirëpriti sot një delegacion të lartë nga Gazi Universiteti i Ankarasë, një ndër institucionet më të njohura arsimore dhe kërkimore në fushën e mjekësisë në Turqi.

Delegacioni u kryesua nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Ugür Ünal, i cili ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të afërt.

Takimi u zhvillua në ambientet e ShSKUK, ku delegacioni turk u prit nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit Mjekësor, Ardian Shefkiu, si dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari.

Gjatë takimit, palët diskutuan gjerësisht mbi mundësitë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e shëndetësisë, me theks të veçantë në fushat që kanë nevojë për përkrahje të veçantë si trajnimi i stafit mjekësor në specializime të caktuara dhe avancimi i kuadrove deficitare.

Në këtë drejtim, delegacioni i Gazi Universitetit theksoi gatishmërinë e plotë për të mbështetur Kosovën në mënyrë të strukturuar dhe afatgjate, përmes shkëmbimeve profesionale, organizimit të trajnimeve dhe ndarjes së përvojave në fusha specifike të mjekësisë moderne.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e ShSKUK shprehën falënderimin për vizitën dhe angazhimin e treguar, duke e cilësuar këtë takim si një hap domethënës drejt forcimit të lidhjeve ndërkombëtare në shërbim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe zhvillimit profesional të stafit mjekësor kosovar.

Ky takim përbën një pikënisje premtuese për bashkëpunime të tjera konkrete në të ardhmen, duke hapur mundësi të reja për avancimin e sistemit shëndetësor në Kosovë përmes partneriteteve strategjike me institucione prestigjioze ndërkombëtare.

Të fundit

Më të lexuarat