Shqipëri, reforma në shërbimin Onkologjik: Ndihmë nga një ekip mjekësh nga Izraeli

Shërbimi Onkologjik në Shqipëri po kalon një transformim të rëndësishëm, me ndryshime që prekin jo vetëm Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), por edhe spitalet rajonale.
Këto reforma synojnë të eliminojnë sorollatjet e pacientëve me sëmundje tumorale dhe të minimizojnë fenomenin e ryshfetit për marrjen e trajtimeve mjekësore pa radhë.
Një nga risitë kryesore është ngritja e bordeve të tumoreve, të cilat do të marrin vendime për trajtimin e pacientëve pa qenë nevoja që këta të fundit të enden nga një mjek te tjetri. “Janë ngritur borde të tumoreve dhe tani nuk shkon pacienti tek onkologu, raditerapisti, kirurgu derë më derë. Por një bord i ngritur merr vendime për trajtimin dhe ecurinë e ia komunikon pacientit, duke eliminuar ecejaket dhe korrupsionin”, shprehet Mira Rakacolli.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është menaxhimi i shërbimit onkologjik nga një ekip mjekësh dhe administratorësh të spitalit Sheba në Izrael. Ky ekip do të luajë një rol kyç në përmirësimin e furnizimit me barna, duke krijuar një komitet të dedikuar për këtë aspekt dhe duke garantuar që pacientët të mos përballen më me mungesa medikamentesh. “Llogarisin kostot, cilat barna duhen dhe jo më mungesa, ndryshon prokurimi për të cilin kanë marrë edhe ‘ok’”, thekson Rakacolli.
Për më tepër, falë bashkëpunimit me ekipin izraelit, pacientët shqiptarë me sëmundje tumorale do të kenë qasje në barna inovative, të cilat më parë ishin të paarritshme për shkak të tregut të vogël farmaceutik në Shqipëri. “Do të mundësojnë barna inovative pasi ne, duke qenë treg i vogël, nuk kemi akses në këto barna, pasi kompanitë nuk kanë interes, por izraelitët e mundësojnë këtë”, shton Rakacolli.
Përveç pranisë fizike të ekipit izraelit në Shqipëri, mjekët dhe infermierët shqiptarë do të kenë mundësinë të trajnohen në Spitalin e Shebas në Izrael për periudha të gjata kohore. Ky shkëmbim do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe ofrimin e një shërbimi më cilësor për pacientët në Shqipëri.
Këto ndryshime shënojnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimit onkologjik në vend, duke ofruar një trajtim më të organizuar, efikas dhe të ndershëm për të gjithë pacientët që kanë nevojë.