Rritet numri i rasteve me kancer në Kosovë: Dy vitet e fundit janë identifikuar 2100 raste të reja

Në dy vitet e fundit, numri i pacientëve të diagnostikuar me kancer në Klinikën e Onkologjisë nuk ka shënuar rënie, por përkundrazi, ka një rritje të lehtë të rasteve.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka bërë të ditur se vetëm gjatë viteve 2023 dhe 2024, janë identifikuar 2,100 raste të reja me kancer.
Sipas tij, krahasuar me vitin 2023, në vitin 2024 janë regjistruar 2-3% më shumë raste me këtë sëmundje. Kurtishi ka theksuar se këto të dhëna ndonjëherë nuk përkojnë plotësisht me ato të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pasi ky institut merr informata edhe nga qendrat dhe spitalet private e rajonale. Megjithatë, sipas tij, po punohet për harmonizimin e të dhënave për të pasur një pasqyrë më të qartë të situatës.
Një nga shqetësimet kryesore mbetet kanceri i gjirit, i cili po shënon rritje të numrit të rasteve. Gjatë vitit 2023, janë identifikuar 453 raste të reja me këtë sëmundje, ndërsa në vitin 2024 ky numër ka arritur në 475.
Duke folur për këtë trend në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Kurtishi tha se rritja e sëmundjeve malinje është një fenomen i përgjithshëm në mbarë botën. Ai theksoi se në vendet e zhvilluara, kjo shifër është më e lartë për shkak të ekzaminimeve të shpeshta dhe programeve të depistimit, të cilat mundësojnë diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin më efikas të sëmundjeve malinje.
Megjithatë, ai tha se në Kosovë ka pasur një përmirësim në diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. “Sot, mbi 55% e rasteve me kancer të gjirit identifikohen në stadin e parë dhe të dytë, ndërsa rreth 45% në stadin e tretë dhe të katërt,” deklaroi Kurtishi. Sipas tij, ky përmirësim është arritur falë fushatave të vetëdijesimit, veçanërisht gjatë muajit tetor dhe përmes angazhimit të shoqatave dhe organizatave të ndryshme civile.
Megjithatë, ai theksoi se vetëdijesimi dhe fushatat nuk mjaftojnë. “Duhet një qasje institucionale dhe protokollare për të përmirësuar edhe më shumë trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve malinje,” u shpreh ai.
Në këtë kontekst, 4 shkurti shënon Ditën Botërore të Kancerit, e cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për kancerin dhe inkurajimin e masave për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e tij.