Rritet numri i fëmijëve me probleme me të folur në Kosovë: Sfidat dhe nevojat për më shumë mbështetje

Rritet numri i fëmijëve me probleme me të folur në Kosovë: Sfidat dhe nevojat për më shumë mbështetje
02.03.2025

Në Kosovë, vitet e fundit është vërejtur një rritje e numrit të fëmijëve që kanë probleme me të folur. Specialistët e fushës e lidhin këtë fenomen me faktorë të ndryshëm, ndër të cilët një ndër më të përmendurit është përdorimi i teknologjisë.

Një rast konkret është ai i një fëmije 9-vjeçar, E.L, i cili tash e dy vite, së bashku me nënën e tij, bën rreth 40 minuta rrugë për të marrë shërbime logopedike në Repartin e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Nëna e tij shprehet e kënaqur me përmirësimin e dukshëm të djalit dhe trajtimin që ai po merr në këtë institucion. Ajo thekson se një seancë logopedike në institucione private mund të kushtojë nga 200 deri në 500 euro në muaj, duke e bërë të pamundur trajtimin për shumë familje.

Në këtë repart, aktualisht janë vetëm tre logopedë që trajtojnë fëmijë nga e gjithë Kosova. Logopedia klinike, Zyla Musliu, konfirmon se përballen me një fluks të madh të pacientëve, por mundohen të ofrojnë shërbime cilësore. Ajo nënvizon se ka nevojë për më shumë mbështetje për të siguruar trajtim të vazhdueshëm dhe cilësor për fëmijët që kanë vështirësi në të folur.

Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Logopedëve të Kosovës, Lekë Gjurgjiali, flet për sfidat e logopedëve në vend. Ai përmend mungesën e përfshirjes së logopedëve në institucione publike dhe komisione vlerësuese, mungesën e inspektimit të shërbimeve të logopedisë, ekzistencën e shërbimeve të palicencuara si dhe mungesën e një Ode të veçantë profesionale për këtë fushë.

Në përpjekje për të kuptuar më shumë rreth planeve institucionale për përmirësimin e situatës, Radio Kosova ka kërkuar informacione nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me masat që po ndërmerren për të mbështetur fëmijët dhe familjet e tyre, si dhe për rritjen e numrit të profesionistëve të specializuar. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk është pranuar ndonjë përgjigje nga ministria.

Rritja e problemeve me të folur te fëmijët në Kosovë dhe sfidat me të cilat përballen institucionet për të ofruar shërbime adekuate, theksojnë nevojën urgjente për politika më të qarta dhe investime më të mëdha në këtë fushë.

Të fundit

Më të lexuarat