Rritet interesi për librat e Kadaresë, fluks lexuesish shqiptarë dhe të huaj

Rritet interesi për librat e Kadaresë, fluks lexuesish shqiptarë dhe të huaj
16.08.2024

Shkrimtari i madh më famë botërore Ismail Kadare, mbylli sytë paraditen e 1 korrikut, por veprat, si pasuria më e madhe që u la shqiptarëve mbushin shpirtin e lexuesve.

Në libraritë e Tiranës ka pasur një numër të shtuar lexuesish për të blerë veprat e shkrimtarit, si një mënyrë për ta pasur më afër kolosin e letrave shqipe.

Librarët për Euronews tregojnë se përveç shqiptarëve ka pasur një numër të konsiderueshëm turistësh të huaj që janë interesuar të kenë një libër të Kadaresë.

“Duke filluar nga dje kur morëm lajmin e hidhur, kishim shumë klientë që ishin të interesuar. Interesant është fakti që jo vetëm shqiptarët por edhe të huaj, kishin kërshëri dhe dëshirë që të kishin veprat e Kadaresë. Humbja ka ndikuar në shitjen dhe kërkesën e lexuesve, është i njëjti  fenomen që ndodhi dhe me Kunderën.  Janë dy autorë të cilët përveç raporteve me Francën kanë pasur të njëjtën moshë. I njëjti fenomen ndodhi dhe me Kadarenë. Duke filluar që nga dje lexuesit vërshuan në kërkimin e titujve dhe librat e autorëve”, tha  një librashitës.

Veprat më të preferuara për lexuesit janë “Prilli I Thyer” dhe “Gjenerali I Ushtrisë së Vdekur”

“Kadare përpos prozës që kërkohet më shumë, ka dhe poezi, por këto të fundit nuk kërkohen. Veprat që kërkojnë janë “Prilli I Thyer”, Gjenerali I Ushtrisë së Vdekur” , “E penguara” tha ai.

Librat e gjeniut lexohen nga të gjithë grupmoshat dhe në çdo kohë, pasi veprat e tij tashmë janë bërë pjesë dhe në programet shkollore.

“Stereotipi është që gjenerata e tretë kanë tendencën që të lexojnë më shumë, por për hir të së vërtetës dhe të rinjtë lexojnë.  Kadare është një nga ata autorë që pëlqehet dhe preferohet nga të gjitha gjeneratat” përfundon ai.

Veprat e Kadaresë janë përkthyer në 45 gjuhë të huaja, gjë që ka bërë që ai, Shqipëria dhe historia e vendit tonë të njihej nga e gjithë bota.

BURIMI: EURONEWS ALBANIA

Të fundit

Më të lexuarat