Rritet fenomeni i braktisjes së foshnjave të porsalindura në Kosovë: 5 raste vetëm në katër muajt e parë të vitit

Braktisja e foshnjave të porsalindura në spitalet e Kosovës po shndërrohet në një fenomen gjithnjë e më shqetësues.
Vetëm nga janari deri në prill të vitit 2025, janë raportuar pesë raste të foshnjave të braktisura në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK. Të qarat e tyre ndihen që në hyrje të klinikës, një dëshmi e dhimbshme e mungesës së përkujdesjes prindërore që nga momenti i lindjes.
Sipas të dhënave të siguruara nga Qendrat për Punë Sociale (QPS) në komuna të ndryshme të vendit, arsyet më të shpeshta të braktisjes lidhen me lindjet jashtëmartesore, ku nënat e reja nuk gjejnë mbështetje nga familjet ose partnerët e tyre. Në shumë raste, mungesa e përgjegjësisë nga ana e partnerëve, si dhe stigmat sociale, i detyrojnë nënat të heqin dorë nga foshnjat menjëherë pas lindjes.
Luan Morina, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, ka konfirmuar për Radio Kosovën se aktualisht janë duke u përkujdesur për dy foshnja të braktisura në këtë klinikë. “Fenomeni i braktisjes është mjaft shqetësues dhe i pranishëm prej vitesh. Për fat të keq, edhe këtë vit kemi raste të prindërve që heqin dorë nga kujdesi për fëmijët e tyre të porsalindur”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, Hafize Hamza-Geci, punëtore sociale në Repartin e Gjinekologjisë në QKUK, thekson se përveç shtatzënive të padëshiruara, varfëria dhe mungesa e mbështetjes emocionale e financiare janë faktorët kryesorë që çojnë në braktisjen e foshnjave. “Në shumë raste, baballarët i braktisin fëmijët para lindjes, ndërsa nënat e bëjnë këtë pas lindjes”, është shprehur ajo.
Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar gjithsej 37 raste të foshnjave të braktisura në Kosovë. Sipas të dhënave të QPS-ve, 22 prej tyre janë ribashkuar më vonë me njërin nga prindërit biologjikë, falë ndërhyrjes dhe mbështetjes së shërbimeve sociale.
Braktisja e fëmijëve të sapolindur mbetet një plagë e rëndë shoqërore që kërkon ndërhyrje të thellë institucionale dhe shoqërore. Më shumë mbështetje për nënat e reja, edukim seksual dhe sensibilizim mbi përgjegjësitë prindërore mund të jenë hapa kyç për të ndalur këtë trend në rritje.