Raportohet për vjedhje në Spitalin e Gjakovës

Raportohet për vjedhje në Spitalin e Gjakovës
29.10.2024

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë informon qytetarët dhe mediat mbi një incident të vjedhjes që ka ndodhur më 28 tetor 2024, në orët e mëngjesit, ku është dëmtuar objekti ku ndodhet insineratori, pajisja që shërben për riciklimin e mbetjeve medicinale.

Ngjarja është vërejtur nga një punëtor i shërbimit teknik të spitalit, i cili raportoi menjëherë për dëmtimin e objektit dhe mungesën e disa materialeve të lidhura me insineratorin. Në këtë rast, Spitali ka kontaktuar Policinë e Kosovës, e cila ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e detajeve dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Sipas vlerësimeve fillestare, duket se cak i kësaj vjedhjeje kanë qenë kabllot elektrikë të pajisur me përmbajtje bakri. Në ditët në vijim, Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” do të vazhdojë procesin e vlerësimit të dëmeve materiale dhe ndikimit të tyre mbi pajisjet.

Pavarësisht këtij incidenti, puna në spital po vazhdon normalisht, dhe të gjitha shërbimet ndaj pacientëve janë duke u ofruar sipas rregullave dhe obligimeve të përditshme.

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” mbetet i angazhuar për të garantuar cilësinë e kujdesit shëndetësor për qytetarët dhe sigurinë e pajisjeve të tij kritike.

Të fundit

Më të lexuarat