QRSHP Prizren nis përgatitjet për testim fenotipik të tuberkulozit në nivel lokal

Stafi i Laboratorit të Tuberkulozit në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik (QRSHP) në Prizren është duke u trajnuar nga ekspertët e Laboratorit Referent Kombëtar për Tuberkuloz të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në kuadër të përgatitjeve për të filluar testimin fenotipik të ndjeshmërisë ndaj barnave të linjës së parë për trajtimin e tuberkulozit.
Deri tani, të gjitha kulturat pozitive me Mycobacterium tuberculosis të zbuluara në QRSHP Prizren janë dërguar në Laboratorin Referent Kombëtar në IKSHPK për testime të mëtejshme. Me implementimin e testimit direkt në laboratorin rajonal të Prizrenit, do të shmanget nevoja për transport të mostrave infektive – duke ulur kështu rrezikun e ekspozimit për stafin mbështetës – dhe do të reduktohet ndjeshëm koha për përpunimin dhe lëshimin e rezultateve.
Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm për përmirësimin e menaxhimit të rasteve me tuberkuloz, në veçanti atyre me forma rezistente ndaj barnave, që përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin publik. Zbatimi i këtij testimi në nivel lokal do të rrisë efikasitetin e reagimit institucional, do të ndihmojë në mbrojtjen më të mirë të stafit shëndetësor dhe do të kontribuojë në frenimin e përhapjes së mëtejshme të kësaj sëmundjeje në komunitet.