QKUK mohon pretendimet për mungesë sigurie në Klinikën Emergjente

Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ka reaguar sot përmes një sqarimi publik, pas disa deklaratave të publikuara në media që ngritën shqetësime për sigurinë në ambientet e saj, konkretisht në Klinikën Emergjente.
Në reagimin zyrtar, QKUK ka theksuar se mjekët, stafi mjekësor dhe ai mbështetës nuk janë të rrezikuar në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës së tyre brenda hapësirave të institucionit. Sipas njoftimit, në Klinikën Emergjente janë të angazhuar 24 orë në ditë pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe punëtorë sigurimi, të cilët kujdesen vazhdimisht për ruajtjen e rendit dhe sigurinë e pacientëve dhe stafit.
“Qëndron fakti se stafi ynë trajton edhe raste të ndjeshme, përfshirë pacientë të dyshuar për vepra kriminale, por pavarësisht kësaj nuk ka pasur në asnjë rrethanë rrezikim të drejtpërdrejtë të stafit mjekësor, aq më pak të pacientëve të tjerë”, thuhet në reagim.
QKUK sqaron më tej se në çdo rast që ka pasur situata që kërkojnë reagim, sigurimi dhe Policia e Kosovës kanë vepruar me profesionalizëm dhe në kohë reale, duke menaxhuar çdo rast në mënyrë të duhur.
Reagimi erdhi pas deklaratave të një mjeku kujdestar që, sipas QKUK-së, përshkroi një situatë të tensionuar në Klinikën Emergjente, e cila nuk përputhet me të dhënat faktike dhe është cilësuar si “e pamatur dhe e pabazuar”.
“QKUK mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe cilësore për qytetarët, si dhe në garantimin e kushteve dinjitoze të punës për të gjithë punonjësit e saj”, përfundon sqarimi i institucionit më të lartë shëndetësor në vend.