QKUK: Mbi 46 mijë qytetarë morën ndihmë mjekësore emergjente për 6 muaj

QKUK: Mbi 46 mijë qytetarë morën ndihmë mjekësore emergjente për 6 muaj
15.08.2024

Klinika Emergjente, e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, vazhdon ta ketë barrën kryesore në ofrimin e shërbimeve shëndetësore emergjente  për pacientët e Kosovës.

Bazuar në raportin gjashtë mujor të punës, 46 mijë e 769 pacientë kanë marrë shërbime shëndetësore, prej tyre 4 mijë e 770 pacientë janë pranuar për trajtim  të mëtejmë në klinika të ndryshme internistike dhe kirurgjike.

SHSKUK ka bërë të ditur se nga numri i përgjithshëm i pacientëve, mbi 10 mijë pacientë janë trajtuar në reanimim, 15 mijë ne shërbimin internistik, 7 mijë e 505raste kirurgjike, mbi 10 mijë pacientë në shërbimin ortopedik. Sipas njoftimit, për këtë periudhë kohore janë kryer 636 operacione në sallat operative dhe  mbi 3 mijë raste në sallën  e vogël të intervenimeve.

“Përmes investimit nga Ministria  e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, hapësirat e  Klinikës Emergjente i janë nënshtruar një renovimi të tërësishëm,  tashmë punimet janë në fazën finale, ku për pacientët dhe stafin do të krijohen kushte shumë më të mira. Poashtu,  ShSKUK, ka përmirësuar dukshëm furnizimin me barna dhe material shpenzues, ku me prioritet të lartë është furnizuar Klinika Emergjente. Kjo klinikë vazhdon të trajtohet me prioritet të lartë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës”, theksohet në njoftim.

Në njoftim thuhet se ShSKUK ka marrë masa bashkë me spitalet e përgjithshme, që rastet emergjente që mund të marrin trajtimin në spitalet e përgjithshme, mos të referohen  në QKUK.

BURIMI: QKUK, RTKLIVE

Të fundit

Më të lexuarat