QKUK: Mbi 4,500 pacientë operuan sytë në vitin 2024

Klinika e Syve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të operacioneve gjatë vitit 2024.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 4,500 pacientë janë operuar në këtë klinikë, një rritje prej 500 rastesh krahasuar me vitin paraprak.
Rritja e numrit të operacioneve ka ardhur si rezultat i investimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK). Këto investime kanë përfshirë përmirësime në infrastrukturë, pajisje të avancuara mjekësore dhe shtim të burimeve njerëzore.
Përveç operacioneve, gjatë vitit 2024, Klinika e Syve ka ofruar mbi 45,000 vizita ambulatore specialistike dhe sub-specialistike, duke mbuluar një gamë të gjerë shërbimesh oftalmologjike.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është zgjerimi i llojeve të ndërhyrjeve kirurgjikale, përfshirë edhe operacionet më të ndërlikuara, të cilat më parë referoheshin për trajtim jashtë vendit. Kjo ka ndihmuar në uljen e nevojës për dërgimin e pacientëve jashtë Kosovës, duke mundësuar trajtimin e tyre brenda sistemit shëndetësor të vendit.
Ky progres tregon një avancim të konsiderueshëm në shërbimet oftalmologjike në Kosovë, duke u siguruar pacientëve trajtime më cilësore dhe të aksesueshme.