Pse disa njerëz flasin në gjumë?

Pse disa njerëz flasin në gjumë?
30.10.2024

Disa faktorë mund të kontribuojnë në të folurit gjatë gjumit, siç janë stresi apo ankthi, mungesa ose cilësia e dobët e gjumit, apo edhe çrregullime më serioze që lidhen me gjumin.

Nëse ndonjëherë jeni zgjuar nga dikush që flet në gjumë, nuk jeni vetëm. Qoftë duke folur në fjali të plota apo duke nxjerrë zëra të pakuptueshëm, rreth 2 nga 3 persona flasin në gjumë. Dhe e vërteta është se mund të keni folur edhe ju në gjumë pa e ditur.

Kultura popullore dhe gojëdhënat shpesh sugjerojnë se njerëzit janë më të prirur të ndajnë sekretet e tyre më të thella gjatë të folurit në gjumë. Por më e mundshme është që njerëzit ndonjëherë të shfaqin ëndrrat e tyre, varësisht nga faza e ciklit të gjumit.

Në shumicën e rasteve, të folurit gjatë gjumit mund të tingëllojë më shumë si zëra të pakuptueshëm se sa si fjali e plotë. Dhe ndonëse mund të jetë argëtuese apo irrituese për ata që e dëgjojnë, ose e turpshme për ata që flasin, të folurit në gjumë zakonisht nuk është për t’u shqetësuar.

Por sipas specialistes së mjekësisë së sjelljes së gjumit, Michelle Drerup, PsyD, DBSM, nganjëherë kjo mund të jetë një shenjë e një çrregullimi më serioz të gjumit ose një problemi shëndetësor të fshehur.

Dr. Drerup shpjegon më tej rreth të folurit në gjumë dhe kur është rasti për t’u shqetësuar.

Çfarë është të folurit gjatë gjumit?

Të folurit gjatë gjumit, i njohur si somniloquia, është veprimi i të folurit me zë gjatë gjumit. Ndërsa jeni duke fjetur, mund të:

  • Flisni me pëshpëritje.
  • Flisni me zë normal.
  • Thërrisni fjalë ose përgjigje të plota.
  • Thoni fjali të plota dhe të kuptueshme dhe të bëni biseda të tëra.
  • Keni fjalë të pakuptueshme të përziera me tinguj të ndryshëm.

Nëse flisni në gjumë, ndoshta nuk do ta dini përveçse nëse zgjoheni vetë gjatë të folurit ose dikush tjetër ju informon më vonë.

Të folurit në gjumë është një lloj parasomnie, ose çrregullim që ndodh gjatë gjumit. Në dallim nga parasomnitë e tjera si ecja në gjumë, të folurit zakonisht nuk përbën rrezik për shëndetin. Nëse ka ndonjë shqetësim, ai mund të jetë për ata që flenë pranë dhe që mund të zgjohen nga zhurma.

Pse njerëzit flasin në gjumë?

Gjumi është një proces delikat që ndikon në shëndetin dhe mirëqenien tonë në mënyra të ndryshme. Një cikël mesatar gjumi zgjat rreth 90 minuta, dhe ne kemi nevojë për rreth katër deri në pesë të cikle të tilla brenda 24 orëve për t’u ndier plotësisht të pushuar. Gjatë secilit cikël, truri kalon nëpër katër faza të gjumit, dhe nëse truri ynë ndërpritet gjatë ndonjërës prej tyre, cilësia e gjumit tonë mund të ndikohet.

“Sikurse shumica e parasomnive, të folurit në gjumë ndodh kur ka një gjendje të ndërmjetme mes zgjuarësisë dhe gjumit,” shpjegon Dr. Drerup. Kjo do të thotë se çdo gjë që mund të ndërpresë gjumin mund të kontribuojë në të folurit gjatë gjumit, përfshirë:

  • Ndryshimi i orarit të gjumit.
  • Mungesa e gjumit.
  • Apnea e gjumit.
  • Ankthi dhe stresi.
  • Përdorimi i alkoolit ose substancave të tjera.

“Ka disa prova që nganjëherë të folurit në gjumë lidhet me ëndrrat, por kjo nuk ndodh gjithmonë,” shton Dr. Drerup. Shumica e ëndrrave ndodhin në fazën e thellë të gjumit (REM), por të folurit gjatë gjumit mund të ndodhë në çdo fazë të gjumit.

Të folurit në gjumë mund të jetë gjithashtu një efekt anësor ose simptomë e parasomnive të tjera.

“Nëse të folurit gjatë gjumit fillon papritur në moshën e rritur, ose nëse përfshin frikë të madhe, britma apo veprime të dhunshme, duhet të merrni parasysh konsultimin me një specialist të gjumit,” këshillon Dr. Drerup.

A mund ta ndaloni të folurit gjatë gjumit?

Duke qenë se shumica e parasomnive lidhen me ndërprerjen e gjumit, gjëja më e mirë që mund të bëni për të ndaluar të folurit në gjumë është të përmirësoni cilësinë e gjumit dhe të minimizoni ndërprerjet ku të jetë e mundur. Me kalimin e kohës, ndërsa përmirësohet cilësia e gjumit tuaj, shpresojmë që edhe të folurit gjatë gjumit të zvogëlohet.

“Të fokusoheni te zakonet e shëndetshme të gjumit dhe përmirësimi i ambientit të gjumit mund të eleminojnë ndërprerjet e mundshme dhe të përmirësojnë cilësinë e gjumit,” thotë Dr. Drerup.

Ndërtimi i zakoneve më të mira për gjumin përfshin faktorë si:

  • Të ndiqni një orar të rregullt gjumi.
  • Të synoni për shtatë deri në nëntë orë gjumë çdo natë.
  • T’i jepni vetes 30 deri në 60 minuta kohë të qetë pa ekran para gjumit.
  • Të minimizoni dhe menaxhoni nivelin e stresit.
  • Të kufizoni konsumimin e alkoolit.
  • Të shmangni kafeinën të paktën gjashtë orë para gjumit.
  • Të ushtroni rregullisht.
  • Të siguroheni që dhoma juaj e gjumit është e qetë dhe e errët.
  • Të mbani temperaturën e dhomës midis 15 dhe 19 gradë Celsius.

Kur duhet të kërkoni ndihmë

Nëse përmirësimi i gjumit nuk redukton të folurit në gjumë, ose nëse keni shqetësime për sjellje të tjera gjatë gjumit, mund të jetë ide e mirë të bëni një studim të gjumit. Kjo do t’ju japë ju dhe ofruesve të kujdesit shëndetësor informacion për atë që ndodh me trurin dhe trupin tuaj kur flini.

“Mjeku juaj mund të kërkojë një studim të gjumit për të përjashtuar çrregullimet që mund të kontribuojnë, si apnea e gjumit apo çrregullimi i lëvizjeve periodike të gjymtyrëve,” thekson Dr. Drerup.

“Gjatë një studimi të gjumit, vëzhgohen valët e trurit, ritmi i zemrës, frymëmarrja dhe lëvizjet e gjymtyrëve, dhe studimi është i regjistruar me video për të shqyrtuar çdo sjellje të pazakontë.”

Të fundit

Më të lexuarat