Pozicionet e krahut që përdoren zakonisht për matjen e tensionit mund të çojnë në rezultate të pasakta. Ja mënyra e saktë për ta bërë këtë.

Pozicionet e krahut që përdoren zakonisht për matjen e tensionit mund të çojnë në rezultate të pasakta. Ja mënyra e saktë për ta bërë këtë.
08.10.2024

Një studim i ri ka zbuluar se vendosja e krahut në pozicion të gabuar gjatë matjes së tensionit – qoftë në shtëpi apo në zyrën e mjekut – mund të çojë në lexime dukshëm më të larta sesa kur krahu është në pozicionin e rekomanduar: i mbështetur siç duhet në një tavolinë dhe me mesat e manjetës në nivelin e zemrës.

Kjo tregon se mosvendosja e krahut në mënyrë korrekte dhe të mbështetur gjatë matjes së tensionit mund të çojë në një diagnozë të gabuar të hipertensionit (tensionit të lartë të gjakut), gjë që disa ekspertë shqetësohen se mund të çojë në trajtim të panevojshëm.

Studimi, i publikuar të hënën në revistën JAMA Internal Medicine, zbuloi se kur krahu vendoset në prehër gjatë matjes së tensionit, leximi i tensionit sistolik mbivlerësohet me 3.9 mm Hg dhe leximi diastolik me 4 mm Hg. Ndërsa kur krahu lihet të varur në krah, leximi sistolik mbivlerësohet me 6.5 mm Hg dhe ai diastolik me 4.4 mm Hg.

Tensioni i gjakut matet në milimetra të merkurit (mm Hg) dhe përbëhet nga dy numra – leximi i sipërm (sistolik) dhe ai i poshtëm (diastolik). Një person konsiderohet të ketë hipertension nëse leximet e tensionit të tij janë të vazhdueshme mbi 130/80.

“Profesionalët e kujdesit shëndetësor duhet të rikujtohen për rëndësinë e ndjekjes së këtyre hapave siç duhet,” tha autorja kryesore e studimit, Dr. Tammy Brady, zëvendëskryetare për kërkime klinike në Departamentin e Pediatrisë në Universitetin Johns Hopkins dhe drejtoreshë mjekësore e programit për hipertensionin pediatrik në Qendrën e Fëmijëve Johns Hopkins.

“Shpresoj që ky studim të rrisë ndërgjegjësimin se sa i rëndësishëm është pozicionimi i krahut për saktësinë e matjes së tensionit,” tha Brady.

“Ajo që dua gjithashtu është që ky studim t’i edukojë pacientët dhe t’u japë atyre mundësinë që të kërkojnë një matje të saktë kur janë në klinikë,” shtoi ajo. “Dhe për ata që mbështeten te matjet e tensionit në shtëpi për diagnozën, vlerësimin dhe trajtimin e hipertensionit, ky studim i ndihmon të mësojnë se si ta pozicionojnë siç duhet krahun, sepse gjetjet tona kanë rëndësi edhe për matjet në shtëpi.”

Studiuesit nga Universiteti Johns Hopkins rekrutuan 133 të rritur nga Baltimora, Maryland, midis gushtit 2022 dhe qershorit 2023 për të marrë pjesë në studim. Të rriturit, të moshës nga 18 deri në 80 vjeç, u caktuan rastësisht që t’u matej tensioni me krahët e vendosur në tre pozicione të ndryshme: të mbështetur në një tavolinë (siç rekomandohet), të mbështetur në prehër ose të varur pa mbështetje.

Secili pjesëmarrës iu nënshtrua 12 matjeve të tensionit me krahët në secilin prej këtyre pozicioneve.

Kur krahët e pjesëmarrësve ishin të mbështetur siç rekomandohet, mesatarja e leximit të tensionit ishte 126/74, zbuloi studimi.

Por kur krahët e tyre ishin në prehër, mesatarja ishte 130/78, dhe kur krahët ishin të varur, mesatarja ishte 133/78.

“Nuk prisja që të kishte kaq shumë diferencë kur krahu vendosej në dy pozicionet alternative,” tha Brady. “Menduam që do të kishte ndryshim, por u befasova se sa e madhe ishte diferenca.”

Studiuesit shpjeguan se ka disa arsye fiziologjike përse matjet e tensionit mund të jenë më të larta kur krahu nuk është i pozicionuar ose mbështetur siç duhet. Një distancë më e madhe vertikale midis zemrës dhe manjetës mund të rrisë presionin hidrostatik në arterie, duke çuar në mbivlerësimin e tensionit. Gjithashtu, një krah pa mbështetje mund të shkaktojë kontraktim të muskujve, që rrit tensionin e gjakut.

Si të matni tensionin në mënyrë të saktë

Gjetjet e studimit janë në përputhje me hulumtime të mëparshme që kanë treguar se pozicionet e krahut nën nivelin e zemrës mund të mbivlerësojnë tensionin.

“E dimë që pozicioni i krahut ndikon në matjen e tensionit, por ky studim na jep një masë më të saktë për këtë ndikim,” tha Dr. Nichola Davis, zv. presidente dhe drejtuese e shëndetit publik në NYC Health and Hospitals.

Në studim u përmendën disa hapa kryesorë për matje të saktë:

  • Përdorimi i manjetës së duhur për madhësinë e krahut.
  • Mbështetja e shpinës.
  • Mbajtja e këmbëve të sheshta në dysheme dhe pa kryqëzuar.
  • Pozicioni i saktë i krahut – manjeta duhet të jetë në nivelin e zemrës dhe krahu të mbështetet në tavolinë.

Studiuesit theksuan gjithashtu rëndësinë e përgatitjes para matjes së tensionit, duke shmangur pirjen e kafesë, alkoolit, duhanit, si dhe streset emocionale para matjes.

Tensioni i gjakut shpesh matet në mënyrë jo të duhur në praktikat klinike, gjë që mund të ndikojë në vendimet e mjekëve për rregullimin e tensionit në 20% deri 45% të rasteve, sipas Shoqatës Amerikane të Mjekësisë.

“Anektodikisht, të gjithë në ekipin e studimit kemi filluar të tregojmë më shumë kujdes për mënyrën se si matet tensioni ynë,” tha Brady.

Të fundit

Më të lexuarat