Podujevë, përurohet objektit i ri i urgjencës mjekësore

Podujevë, përurohet objektit i ri i urgjencës mjekësore
14.11.2024

Më 13 nëntor 2024, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe përfaqësues të miqve e partnerëve ndërkombëtarë, përuruan objektin e ri të Urgjencës Mjekësore në qytetin e Podujevës.

Ky investim madhor, i përfunduar brenda vetëm dy vitesh, shënon një hap të rëndësishëm për përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë dhe një mundësi e re për qytetarët e rajonit.

Ky projekt, i cili u realizua me bashkëfinancim midis Komunës së Podujevës dhe organizatës Qatar Charity, përfaqëson një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit publik-privat dhe ndërkombëtar për një qëllim të përbashkët – përmirësimin e kujdesit shëndetësor. Komuna e Podujevës kontribuoi me 600 mijë euro, ndërsa Qatar Charity shtoi një mbështetje prej 1.1 milionë euro, duke e çuar kështu vlerën totale të investimit në 1.7 milionë euro.

Objekti i ri i Urgjencës Mjekësore ka një hapësirë prej afërsisht 1600 metër katror, të cilën qytetarët e Podujevës dhe të gjithë rajonit do ta kenë në dispozicion për të marrë shërbime shëndetësore të standardizuara dhe të sofistikuara.

Përveç shërbimeve emergjente, ky objekt përfshin edhe disa shërbime parësore shëndetësore, duke e bërë të mundur që qytetarët të marrin trajtimin e nevojshëm më shpejt dhe në mënyrë më të integruar. Ky investim ka për qëllim të shërbejë jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për rajonin, duke përfshirë në mënyrë të veçantë bashkatdhetarët tanë të cilët kthehen apo vizitojnë vendin.

/Shendeti.net/

Të fundit

Më të lexuarat