Pirja e kafes mund të ngadalësojë plakjen e fytyrës, zbulon një studim i ri

Pirja e kafes mund të ngadalësojë shenjat e plakjes së fytyrës, sipas një studimi të ri.
Publikuar në Journal of Cosmetic Dermatology, studimi krahasoi katër pije të konsumuar nga më shumë se 16,000 europianë: kafen, çajin, alkoolin dhe pijet e ëmbëlsuara me sheqer. Kafeja ishte e vetmja pije që tregoi një lidhje të dukshme me ngadalësimin e plakjes së lëkurës së fytyrës.
Studiuesit thonë se vetitë antioksiduese të kafes mund të luftojnë stresin oksidativ dhe inflamacionin. Polifenolet në kafen e pjekur mund të përmirësojnë elasticitetin dhe hidratimin e lëkurës, duke vonuar rrudhat dhe shenjat e tjera të plakjes.
“Magjia qëndron në antioksidantët, veçanërisht te polifenolet si acidi klorogjenik. Këto komponime janë ato që me gjasë ndikojnë në efektet anti-plakje që po shohim te konsumatorët e kafes,” tha Dr. Hannah Kopelman, dermatologe në Kopelman Hair Restoration, për revisten e shendetit Verywell.
Lloji i kafes së pjekur ka rëndësi gjithashtu, pasi polifenolet janë të ndjeshme ndaj nxehtësisë, tha Dr. Tyler Long, dermatolog në Skin and Laser Center of New Jersey. Pjekjet e lehta janë më të fuqishme se ato të errëta, sepse ekspozimi i gjatë ndaj temperaturave të larta gjatë pjekjes mund të shkatërrojë polifenolet.
“Espressoja është më e përqendruar dhe ka një pjekje më të lehtë, gjë që mund të jetë më e dobishme për përmbajtjen e polifenoleve,” tha Long. “Personalisht, do të zgjidhja espresson mbi kafetë e tjera të përgatitura në mënyra të ndryshme.”
Edhe çaji përmban polifenole. Edhe pse ky studim nuk gjeti një lidhje të fortë midis konsumit të çajit dhe plakjes së ngadalësuar të fytyrës, studime të tjera kanë treguar se çaji jeshil mund të ndihmojë në parandalimin e plakjes nga ekspozimi ndaj rrezeve UV dhe të reduktojë inflamacionin e lëkurës.
Moderimi dhe konsistenca janë kyçe për përfitimet shëndetësore nga kafeja. Dr. Kopelman tha se dy deri në tre filxhanë kafe prej 240 ml janë të mjaftueshme për të marrë përfitimet e plota anti-plakje.
Dr. Long shtoi se konsumimi i tepërt i kafes mund të shkaktojë tharje të gojës, ndërprerje të gjumit dhe simptoma të tjera të pakëndshme. Është më mirë të pini kafe me moderim, por ta mbani një zakon të përditshëm, pasi antioksidantët dhe përbërjet anti-inflamatore mund të grumbullohen në trup.
Shtimi i kremit dhe sheqerit në kafen tuaj nuk rekomandohet nëse dëshironi të maksimizoni përfitimet anti-plakje.
“Sheqeri mund të kontribuojë në glikacion, që është procesi i lidhjes së sheqerit me kolagjenin dhe llojet e tjera të materialeve strukturore në lëkurë,” tha Long. “Kjo mund të rrisë stresin oksidativ në inde.”
Nëse po shtoni qumësht në kafen tuaj, Long rekomandon përdorimin e qumështit të plotë në vend të atij të skremuar, sepse ky i fundit ka një indeks glikemik më të lartë, i cili mund të shkaktojë rritje të nivelit të sheqerit në gjak.
Konsumimi i kafes u lidh me ngadalësimin e plakjes së lëkurës së fytyrës në një studim të ri. Antioksidantët në kafen e pjekur mund të përmirësojnë elasticitetin dhe hidratimin e lëkurës, duke vonuar rrudhat dhe shenjat e tjera të plakjes.