Përparime në rikonstruktimin e gjirit për gratë e diagnostikuara me kancer në QKUK

Përparime në rikonstruktimin e gjirit për gratë e diagnostikuara me kancer në QKUK
31.10.2024

Klinika e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka arritur një sukses të konsiderueshëm këtë vit në mbështetjen e grave që përballen me kancerin e gjirit. Deri tani, 70 gra kanë përfituar nga operacionet e rikonstruksionit të gjirit, një trajtim që po ndihmon në rikthimin e shëndetit fizik dhe mirëqenies emocionale pas mastektomisë.

Ky rezultat është arritur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet mjekëve kirurgë dhe stafit të Klinikes së Anesteziologjisë, të cilët kanë dhënë një mbështetje të pandërprerë, duke përfshirë edhe kontributin e infermierëve të specializuar. Procesi i rikonstruktimit është individualizuar për secilën paciente, duke përdorur teknika të ndryshme për të siguruar rezultate estetike dhe funksionale sa më të mira. Opsionet e zgjedhura përfshijnë përdorimin e implanteve, transplantimin e indeve nga trupi i vetë pacientes, si nga barku ose shpina, si dhe kombinime të metodave të ndryshme.

Zgjedhja e metodës për çdo paciente varet nga një sërë faktorësh, si gjendja e indeve pas trajtimit të mëparshëm, nevojat estetike dhe preferencat personale. Qëllimi kryesor është të arrihet një pamje natyrale, duke ruajtur sa më shumë ndjeshmërinë e lëkurës, si dhe simetrinë midis gjirit të rikonstruktuar dhe atij natyral. Këto rezultate estetike dhe funksionale përbëjnë një sukses të rëndësishëm për pacientet, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës.

Përmirësimi i teknikave kirurgjikale dhe avancimi në kujdesin post-operativ kanë ulur ndjeshëm shkallën e komplikimeve, duke e bërë rikonstruksionin e gjirit një proces të sigurt dhe efektiv. Ky trajtim ka ndihmuar shumë gra të përballojnë më lehtë pasojat psikologjike të mastektomisë, duke rritur vetëbesimin dhe mirëqenien emocionale.

Pajisjet e nevojshme dhe materialet kirurgjikale për këto procedura janë siguruar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), duke mundësuar që ky program të vazhdojë të ofrojë mbështetje të rëndësishme për gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit në vend.

Të fundit

Më të lexuarat