Për herë të parë në Kosovë: Fillon Skriningu Neonatal Metabolik për foshnjat e porsalindura në QKUK

Për herë të parë në Kosovë: Fillon Skriningu Neonatal Metabolik për foshnjat e porsalindura në QKUK
18.02.2025

Në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), shumë shpejt do të fillojë aplikimi i Skriningut Neonatal Metabolik për foshnjat e porsalindura. Ky projekt, që është në fazën finale të testimit, është bërë i ditur nga drejtuesit e Klinikës për Radio Kosovën.

Skriningu neonatal synon identifikimin sa më të hershëm të sëmundjeve metabolike dhe gjenetike te foshnjat e porsalindura, duke mundësuar diagnostikimin e problemeve që nuk shfaqin simptoma menjëherë pas lindjes, por që mund të kenë pasoja serioze nëse nuk zbulohen me kohë.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, ka deklaruar se tashmë janë bërë përgatitjet e nevojshme: “Është siguruar hapësira, janë sjellë pajisjet moderne dhe është trajnuar stafi mjekësor, duke përfshirë laborantët, biokimistët dhe infermierët.”

Sipas Morinës, skriningu do të kryhet brenda 24 deri në 48 orëve pas lindjes dhe synon të zbulojë sëmundje si:

  • Hipotiroidizmi kongjenital
  • Fenilketonuria
  • Fibroza cistike
  • Galaktozemia
  • Atrofia muskulore spinale

Prindërit e foshnjave që më parë janë përballur me vështirësi në diagnostikim, kanë shprehur për Radio Kosovën se ky shërbim do të jetë një ndihmë e madhe për familjet e reja.

Zyrtarët e QKUK-së theksojnë se ky skrining do të eliminojë shumë probleme të hershme që prekin foshnjat, duke përmirësuar kujdesin shëndetësor për të porsalindurit. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka vlerësuar se ky hap përbën një përparim të rëndësishëm në diagnostikimin e sëmundjeve te foshnjat, duke tejkaluar një nga sfidat kryesore që ka pasur vendi në këtë drejtim.

Të fundit

Më të lexuarat