Oda e Farmacistëve të Kosovës mirëpret opinionin ligjor të ATK-së për çmimet e barnave

Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) ka kërkuar opinion ligjor nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) lidhur me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për çmimet e barnave.
Sipas OFK-së, ky opinion ligjor konfirmon se çmimi i produkteve farmaceutike duhet të jetë i bazuar në vlerën e hapur të tregut, por jo më pak se çmimi i kostos së prodhimit dhe shpërndarjes.
Në një njoftim për media, OFK e ka konsideruar këtë opinion si një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të transparencës dhe mbrojtjes së interesave të barnatoreve dhe industrisë farmaceutike në Kosovë. Oda ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe organet përkatëse të saj që të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar dëmtimin e barnatoreve për shkak të stokut të tepruar dhe për shkak të vendimeve të cilat, sipas tyre, janë të kundërligjshme.
“Oda e Farmacistëve të Kosovës mirëpret opinionin ligjor të ATK-së, me të cilin konfirmohet se çmimi i produktit duhet të jetë vlera e hapur e tregut, por jo më pak se çmimi i kostos. OFK fton edhe njëherë Ministrinë e Shëndetësisë dhe organet vartëse të saj që të marrin masa të menjëhershme për çështjen e stokut, i cili po dëmton barnatoret në implementimin e vendimeve të kundërligjshme,” thuhet në njoftimin e OFK-së.
Gjithashtu, Oda ka shprehur gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera përkatëse për të siguruar zbatimin e ligjshmërisë në këtë proces dhe për të mbrojtur interesat e sektorit farmaceutik në Kosovë.
Ndërkohë, edhe Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës (SHDPFMK) ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për përcaktimin e çmimeve të barnave, duke shprehur shqetësimin për ndikimin që ky vendim mund të ketë në tregun farmaceutik dhe furnizimin me barna në Kosovë.