Obiliq: Si po ndikon cilësia e ajrit në shëndetin e fëmijëve në rajonin më të ndotur në Kosovë

Obiliq: Si po ndikon cilësia e ajrit në shëndetin e fëmijëve në rajonin më të ndotur në Kosovë
26.09.2024

Fëmijët në Kosovë u ekspozohen niveleve të ndotjes së ajrit që tejkalojnë nivelet që konsiderohen të dëmshme për shëndetin.

“Këtu vjen erë shumë e keqe. Po jetojmë në një zonë shumë të ndotur. Ky vend po na sëmur, dhe femija im i vogël po i përjeton pasojat më së shumti,” thotë ajo, duke bërë me shenjë nga djali i saj pesëvjeçar Ismaili. “Kur ka qenë vetëm një javësh është dashur të shtrihet në spital për tre muaj.”

“Ai kollitet shumë dhe shpesh ka temperaturë. Vazhdimisht jemi të brengosur sepse kur temperatura i rritet mbi 38 gradë Celsius, ka shtrëngime. Gjendja mund të përkeqësohet shumë shpejt dhe na duhet të reagojmë shpejt,” shpjegon 34 vjeçarja Nexhare, e cila për 10 vitet e fundit ka jetuar me burrin dhe pesë fëmijët e tyre pranë Termocentralit A në Obiliq.

Në mes komunitetit ndërkombëtar dhe atij shkencor është i njohur ndikimi i ajrit të ndotur në shëndet, dhe dihet se fëmijët në veçanti janë më të cenueshëmit. Fëmijët në Kosovë i ekspozohen niveleve të ndotjes së ajrit që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë shkaktojnë pasoja në shëndet. Mikrogrimcat mund të futen shumë lehtë në qarkullimin e gjakut të fëmijëve, duke shkaktuar infeksione të sistemit të frymëmarrjes, dëmtim afatgjatë të mushkërive dhe ndikim në zhvillimin e trurit të fëmijëve.

“E dimë që ajri këtu është i keq, por nuk mund të bëjmë asgjë,” thotë Nexhare para se të shpërthejë në lot. “Nuk kemi shpresa se do të ndryshoj diçka.”

Sa më i vogël të jetë fëmija, aq më i madh është rreziku. Foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë më të cenueshmit nga ndikimi negativ që ka ndotja e ajrit pasi truri, mushkëritë dhe organet tjera të tyre janë ende në zhvillim dhe janë më të ndjeshme ndaj ndotësve. Ndikimi te Kenani, i cili i ka 18 muaj dhe jeton me nënën e tij Sabinën, 24 vjeç, dhe gjyshen e tij Avijen, 46 vjeçare, në afërsi të termocentraleve është i qartë.

“Ajri është shumë i rëndë,” thotë Avjija, e cila ka jetuar në këtë zonë për dekada të tëra. “Nuk mund t’i mbajmë fëmijët brenda gjatë gjithë kohës, dhe kur dalin jashtë sëmuren keq. Kenanin duhet ta dërgojmë te mjeku të paktën çdo tri javë, gjithmonë është i sëmurë. Unë jam e sëmurë, njëjtë edhe burri, të gjithë përreth janë të sëmurë. Nuk kemi çka të bëjmë, duhet të jetojmë kështu, nuk kemi ku të shkojmë.”

Obiliqi është strehë për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, shumica e të cilëve jetojnë në vendbanime në afërsi të termocentraleve. 

“Çdo i katërti fëmijë që vjen këtu ka sëmundje të mushkërive,” thotë Dr. Violeta, pediatre në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, Kosovë.

“Edhe kur fëmijët paraqiten me probleme shëndetësore që nuk lidhen me sistemin e frymëmarrjes, prapë se prapë ato ndërlidhen me bronkitin dhe infeksionet tjera të sistemit të frymëmarrjes të cilat kanë qenë prezente gjatë fëmijërisë së hershme,” thotë ajo. “Shumë probleme shëndetësore që i shohim te fëmijët janë si rezultat i thithjes së ajrit të ndotur.”

Dy termocentralet me thëngjill në Obiliq sigurojnë rreth 97 përqind të energjisë së Kosovës, duke e bërë rajonin më të ndotur në vend. 

“Më shumë se 250 tonë thëngjill digjen në termocentralet e Obiliqit çdo vit. Më shumë se katër milionë tonë thëngjill digjen nga banorët për ngrohjen e shtëpive të tyre gjatë dimrit,” shpjegon Haki Jashari, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe programit për vizita në shtëpi në këtë komunë.

“Ne i shohim efektet që i ka kjo në komunitetet tona,” thotë ai. “Ne kemi 50 përqind më shumë raste të problemeve të sistemit të frymëmarrjes tek fëmijët për dallim nga pjesa tjetër e Kosovës, si dhe 30 për qind më shumë raste të kancerit te të rriturit. Po shohim rritje të numrit të rasteve të dështimit të shtatzanisë dhe gjithnjë e më shumë fëmijë që lindin para kohe apo nënpeshë.”

Që nga muaji qershor i vitit 2023, një grup i të rinjve kanë fillur të ndërmarrin veprime lidhur me ajrin e ndotur, duke punuar me komunitetet dhe autoritetet lokale për të matur dhe regjistruar cilësinë e ajrit në lagje. Me mbështetjen e iniciativës së UNICEF-it “Youth4CleanAir,” të rinjtë që janë aktivistë për çështjet mjedisore janë duke e matur ndotjen e ajrit çdo mëngjes dhe pasdite, duke përcjellë të dhënat dhe duke i vënë ato në dispozicion të banorëve lokalë. Ata masin PM2.5, grimca që janë më të vogla se 2.5 mikronë në diametër dhe që shpesh vijnë nga termocentralet, objektet industriale, veturat dhe kamionët si dhe PM10 – grimca më të mëdha që gjenden në pluhur dhe tym.

Sipas OBSH-së, çdo gjë mbi 250 mikrogramë të PM2.5 ose PM10 për metër kub ajër konsiderohet si e dëmshme.

“Çdo ditë bëjmë të njëjtën rrugë dhe e matim cilësinë e ajrit përgjatë rrugës,” shpjegon Verona, një vullnetare 17 vjeçare e cila është pjesë e iniciativës “Youth4CleanAir.” Ajo kontrollon pajisjen e cilësisë së ajrit, të cilën e lidh me telefonin e saj: “Kam regjistruar më shumë se 500 grimca të PM2.5 dhe më shumë se 1000 grimca të PM10. Nuk është diçka e pazakontë të regjistrosh vlera kaq të larta këtu.” 

Më shumë se 400 të rinj janë përfshirë në program dhe deri më tani kanë arritur më shumë se 5000 fëmijë dhe të rinj me iniciativat e tyre. Zërat e tyre janë duke u dëgjuar dhe institucionet e nivelit lokal dhe qendror po i përfshinë në diskutimet mbi ndotjen e ajrit.

UNICEF-i punon në vendet e Ballkanit Perëndimor në partneritet me qeveritë, sektorin privat, shoqërinë civile dhe Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit për t’i trajtuar nivelet e ndotjes së ajrit që janë ndër më të këqijat në Evropë. Puna jonë përfshinë përmirësimin e edukimit mjedisor në shkolla, mbështetjen e programeve të edukimit për vende pune të gjelbra (përfshirë vende pune për cilësinë e ajrit), vetëdijesimin për shkaqet dhe ndikimet në shëndet që ka ajri i ndotur te komunitetet si dhe angazhimin e fëmijëve dhe të rinjve në mbledhjen e të dhënave për cilësisë së ajrit dhe menaxhimin e tij.

REFERENCA:

UNICEF

FOTO: BANKWATCH

Të fundit

Më të lexuarat