Nesër përmbyllet Java Botërore e Imunizimit në Kosovë: “Imunizimi është i mundshëm për të gjithë”

Nesër përmbyllet Java Botërore e Imunizimit në Kosovë: “Imunizimi është i mundshëm për të gjithë”
29.04.2025

Kosova i bashkohet botës në shënimin e Javës Botërore të Imunizimit, e cila këtë vit zhvillohet nën moton “Imunizimi është i mundshëm për të gjithë”, duke theksuar rëndësinë jetike të vaksinimit si një mjet i fuqishëm për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të të gjitha moshave.

Kjo javë e rëndësishme shëndetësore synon të promovojë fuqinë shpëtuese të vaksinave dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi rolin që ato kanë në parandalimin e sëmundjeve infektive. Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), në bashkëpunim me institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor, janë angazhuar në organizimin e aktiviteteve vetëdijësuese dhe edukative gjatë gjithë javës.

Motoja e këtij viti vë në pah rëndësinë e vazhdimësisë së vaksinimit, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë, për të siguruar një të ardhme të shëndetshme për të gjithë. Vaksinimi mbetet një nga mënyrat më të sigurta, më efektive dhe më të thjeshta për të mbrojtur individët dhe komunitetet nga sëmundjet potencialisht të rënda.

Përparime të rëndësishme në programin kombëtar të vaksinimit

Që nga viti 2023, Kosova ka shënuar hapa domethënës në fushën e imunizimit, duke përfshirë tre vaksina të reja në Kalendarin e rregullt të vaksinimit:

  • Vaksina kundër pneumokokut (e rëndësishme për parandalimin e pneumonisë dhe infeksioneve të tjera bakteriale),
  • Vaksina kundër rotavirusit (mbrojtje kundër diarresë së rëndë tek fëmijët),
  • Vaksina kundër HPV-së (papiloma virusit njerëzor, që lidhet me kancerin e qafës së mitrës dhe infeksione të tjera).

Këto përfshirje kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e mbulueshmërisë me vaksina në nivel vendi, me të dhëna të fundit që tregojnë se:

  • 89% e fëmijëve në Kosovë janë të vaksinuar me vaksinat bazë,
  • 13,169 vajza dhe djem janë vaksinuar kundër HPV-së deri më tani.

Imunizimi – një investim për të ardhmen

Ministria e Shëndetësisë thekson se përpjekjet për rritjen e qasjes në vaksina dhe vetëdijesimin qytetar do të vazhdojnë edhe më tutje, me qëllim që çdo qytetar i Kosovës, pa dallim moshe apo vendbanimi, të ketë mundësi të mbrohet nga sëmundjet e parandalueshme.

Vaksinat janë një dëshmi se më pak sëmundje dhe më shumë jetë është e mundur kur angazhohemi së bashku,” thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë. Kjo javë shënon jo vetëm një festim të arritjeve në fushën e shëndetit publik, por edhe një thirrje për veprim të përbashkët në emër të mirëqenies së brezave të ardhshëm.

Në këtë vit 2025, le t’i tregojmë botës se imunizimi është i mundshëm për të gjithë – dhe që shëndeti i secilit prej nesh është një përgjegjësi kolektive.

Të fundit

Më të lexuarat