Ndërhyrje të suksesshme mini-invazive për trajtimin e Pectus Excavatum në QKUK – Stafi vendor trajnohet nga ekspert ndërkombëtar

Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë realizuar me sukses ndërhyrje mini-invazive të tipit NUSS, për trajtimin e Pectus Excavatum, një deformim i murit të përparmë të kraharorit, te pacientë mbi moshën 25-vjeçare.
Gjatë dy ditëve të fundit janë kryer tri ndërhyrje kirurgjikale – dy vendosje të barrave metalike dhe një heqje e tyre, pas 3.5 vjetësh – në prani dhe nën udhëheqjen profesionale të Prof. Ass. Tunç Laçin, kirurg torakal me reputacion ndërkombëtar nga Stambolli, Turqi.
Vizita e profesorit Laçin shënon një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve profesionale të stafit vendor. Përveç pjesëmarrjes direkte në sallën operative, ai ofroi mbështetje në trajnimin e ekipit mjekësor kosovar, duke ndarë përvoja klinike bashkëkohore dhe praktika të avancuara që ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Realizimi i këtyre ndërhyrjeve në Kosovë përbën një sukses të rëndësishëm, pasi redukton nevojën që pacientët të udhëtojnë jashtë vendit për trajtim, dhe tregon qartë se sistemi shëndetësor po ecën drejt modernizimit dhe vetëqëndrueshmërisë. Me përfshirjen e profesionistëve vendorë dhe bashkëpunimin me ekspertë ndërkombëtarë, QKUK po afirmohet gjithnjë e më shumë si një qendër që ofron shërbime cilësore, të sigurta dhe të avancuara për pacientët në Kosovë.