MSH dhe IKSHPK apel për kujdes të shtuar nga temperaturat e larta

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, kanë apeluar te qytetarët që të bëjnë kujdes gjatë këtyre ditëve kur po mbizotërojnë temperaturat e larta.
IKSHPK thotë se parashikimet e meteorologëve janë që gjatë kësaj jave temperaturat do të jenë sërish të larta dhe ato mund të ndikojnë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, sidomos të grupeve të cenueshme.
“Shmangni të dilni jashtë dhe të bëni aktivitete të rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.
IKSHPK ka dhënë edhe disa këshillat dhe ndërhyrje praktike që mund të bëhen për t’u mbrojtur nga nxehtësia.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët që t’i ndjekin rekomandimet e kësaj ministrie dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për mbrojtjen e shëndetit.
Në varësi të zhvillimit të situatës meteorologjike, nëse është e nevojshme, Ministria e Shëndetësisë thotë se do të ndërmarrë masa për kufizimin e orarit të punës.