Mos e vloni kurrë ujin disa herë: Është më i rrezikshëm sesa mendoni

Ndonëse vlimi i ujit është një praktikë e zakonshme për ta bërë atë më të sigurt për konsum, ekspertët paralajmërojnë se zierja e përsëritur e ujit mund të ketë pasoja të padëshiruara për shëndetin, sidomos kur bëhet fjalë për ujin e përdorur për pije apo gatim.
Në një përdorim të zakonshëm, vlimi i ujit një herë e bën atë më të pastër duke vrarë bakteret dhe mikroorganizmat potencialisht të dëmshëm. Por nëse procesi i vlimit përsëritet disa herë, fillojnë të ndodhin disa ndryshime kimike që mund të ndikojnë në cilësinë e ujit.
Sipas mjekëve, zierja e përsëritur çon në koncentrimin e përbërësve të dëmshëm si nitratet, arseniku dhe fluoridet – të cilët mund të ndodhen natyrshëm në ujë ose të shtohen për qëllime të ndryshme.
Të pranishme në tokë, ajër dhe ujë, nitratet bëhen të rrezikshme kur ekspozohen ndaj temperaturave të larta. Këto mund të shndërrohen në nitrozamina, substanca të njohura për veprim kancerogjen, të lidhura me kancerin e vezoreve, zorrës së trashë dhe lukthit.
Edhe pse në doza shumë të vogla mund të jenë të dobishme për shëndetin e dhëmbëve, fluoridet e tepërta në ujë janë të rrezikshme, sidomos për zhvillimin kognitiv të fëmijëve. Studime të publikuara kanë treguar se ekspozimi i gjatë ndaj fluorideve mund të çojë në ulje të koeficientit të inteligjencës (IQ) dhe probleme me fertilitetin.
Një nga ndotësit më të rrezikshëm të ujit, arseniku mund të gjendet në ujë si rezultat i ndotjes nga pesticidet ose ndotjes industriale. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar si një ndotës të rrezikshëm që mund të shkaktojë helmim, probleme me tretjen, diabet dhe sëmundje të zemrës.
Përveç rrezikut për shëndetin, zierja e përsëritur e ujit krijon edhe gurëz në enën e zierjes, gjë që mund të çojë në formimin e gurëve në veshka nëse uji konsumohet vazhdimisht. Gjithashtu, uji i zier disa herë zakonisht merr një shije të rëndë ose metalike, veçanërisht në zonat me ujë të fortë, duke ndikuar negativisht në shijen e çajit, kafesë apo ushqimeve.
Ekspertët sqarojnë se nuk ka nevojë për alarm në të gjitha rastet. Nëse përdorni ujë të filtruar mirë ose distiluar, zierja e tij disa herë nuk paraqet ndonjë rrezik serioz për shëndetin. Po ashtu, nëse uji po vlohet vetëm për qëllime sterilizimi dhe jo për konsum të drejtpërdrejtë, është e pranueshme.
Në përditshmëri, është mirë të evitoni zierjen e përsëritur të ujit, sidomos nëse nuk jeni të sigurt për përbërjen e tij. Për ata që jetojnë në zona me ujë të pa-filtruar ose të dyshimtë, zgjidhja më e mirë është përdorimi i filtrave cilësorë të ujit ose blerja e ujit të distiluar për përdorim në pije dhe gatim.
Pra, herën tjetër që do të vendosni të rivloni ujin që ka mbetur në çajnik, ndoshta ia vlen të hidhni një sy më me kujdes mbi atë që po konsumoni. Shëndeti nis me gjërat e vogla – dhe një gotë ujë i pastër mund të jetë një prej tyre.