Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe Turqisë lidhin marrëveshje mjekësore

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe Turqisë  lidhin marrëveshje mjekësore
26.10.2024

Në margjinat e panairit SAHA EXPO, Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës pati një takim të rëndësishëm me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, z. Yaşar Güler. Ky takim pason vizitën e tij të fundit në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe të trajtimit mjekësor ushtarak.

Në kuadër të këtij takimi u nënshkrua edhe protokolli i rishikuar i bashkëpunimit, i cili ofron kuota shtesë për trajtimin e ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në institucionet mjekësore ushtarake turke. Me këtë marrëveshje, kuota vjetore e trajtimeve mjekësore pa pagesë për pjesëtarët e FSK-së rritet nga 50 në 75, një rritje prej 50%, duke siguruar kujdes më të gjerë dhe mbështetje më të fortë shëndetësore për personelin ushtarak të Kosovës.

Përtej rritjes së numrit të trajtimeve, marrëveshja nënkupton edhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes ushtrimeve të përbashkëta në fushën e mjekësisë ushtarake, trajnimeve mjekësore para operacioneve ushtarake, si dhe shkëmbimit të personelit mjekësor dhe informacionit shkencor. Pjesëtarët e FSK-së do të kenë mundësi të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre profesionale në Akademinë Mjekësore Ushtarake të Turqisë, duke marrë edukim në mjekësi të përgjithshme, stomatologji, infermieri dhe farmaci.

Që nga fillimi i këtij bashkëpunimi, mbi 300 ushtarakë të FSK-së janë trajtuar pa pagesë në institucionet e specializuara shëndetësore ushtarake turke. Ministria e Mbrojtjes së Kosovës shpreh mirënjohje të thellë ndaj Republikës së Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe bujare, e cila kontribuon në forcimin e lidhjeve miqësore dhe profesionale mes dy vendeve dhe garanton një mbështetje të çmuar për nevojat shëndetësore të ushtarakëve të Kosovës.

Të fundit

Më të lexuarat