Më shumë se 15 milionë të rritur në SHBA kanë ADHD, sipas një studimi të ri

Rreth 15.5 milionë të rritur në SHBA vuajnë nga çrregullimi i hiperaktivitetit me deficit të vëmendjes (ADHD), dhe shumica prej tyre kanë vështirësi në qasjen ndaj trajtimit të kësaj gjendjeje, sipas të dhënave nga një studim amerikan të publikuara të enjten.
Vetëm rreth një e treta e atyre që raportuan se ishin diagnostikuar me ADHD thanë se kishin marrë një recetë për një ilaç stimulues që përdoret për ta trajtuar gjatë vitit të kaluar, raportuan studiuesit në Raportin Javor të Sëmundshmërisë dhe Vdekshmërisë të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të SHBA-së.
Përveç kësaj, pothuajse tre të katërtat e atyre që kishin një recetë për ilaçin stimulues raportuan vështirësi në mbushjen e saj për shkak të mungesës së ilaçit.
Në mbarë botën, rreth 2% deri në 5% e të rriturve përjetojnë simptoma të ADHD-së si mosvëmendje, hiperaktivitet dhe impulsivitet. Ky studim ofron të dhënat e para për përhapjen e ADHD-së tek të rriturit në SHBA që nga viti 2003.
Ilaçi amfetaminë, i cili zakonisht shitet me emrin tregtar Adderall, është një opsion fillestar trajtimi për të rriturit me ADHD.
Përdorimi i recetave është rritur që kur filloi pandemia e COVID-19, por mungesa e këtij dhe ilaçeve të tjera stimulante ka ndikuar tek pacientët që mbështeten tek to, gjeti studimi.
Simptomat e ADHD-së zakonisht fillojnë në fëmijëri. Sidoqoftë, në anketë, 55% e atyre me këtë gjendje thanë se ishin diagnostikuar si të rritur.
Politikat e shërbimeve mjekësore përmes telekomunikimit të implementuara gjatë pandemisë së COVID-19 kanë zgjeruar aksesin në diagnostikimin dhe trajtimin e ADHD-së, përfshirë dhe medikamentet, vunë në dukje studiuesit nga CDC në raportin e tyre.
Pothuajse gjysma e individëve të anketuar kishin përdorur shërbimet e telemjekësisë për kujdes të lidhur me ADHD, përfshirë aksesin në medikamente.
Gjetjet e anketës mund të ndihmojnë në udhëzimin e kujdesit klinik dhe vendimeve rregullatore, përfshirë ato rreth përshkrimit të ilaçeve përmes telemjekësisë, thanë autorët e saj.
Telemjekësia mund të përmirësojë aksesin në trajtime të sjelljes, si këshillimi ose terapia, si dhe për përshkrimin e medikamenteve për këta pacientë, megjithëse hulumtimet për efektivitetin dhe sigurinë e telemjekësisë për ADHD janë të kufizuara.
Vlerësimet e studimit bazohen në të dhënat e mbledhura nga Anketa e Shpejtë e Qendrës Kombëtare për Statistikat e Shëndetit gjatë periudhës nga tetori deri në nëntor 2023 nga 7,046 të rritur mbi 18 vjeç.