Kryetarja e Shoqatës së Anesteziologëve: Në krejt Kosovën jemi 115 anesteziologë

Sot nis konferenca e Shoqatës së Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës. Këtë vit në fokus është shëndeti i nënës dhe fëmijës. Agreta Gecaj Gashi, kryetare e Shoqatës së Anesteziologëve, theksoi se në krejt Kosovën janë 115 anesteziologë, në sektorin publik 85, ndërkaq në sektorin privat 30. Sipas saj, ky numër i tyre kushton me vëllim të madh të punës, angazhim të shtuar për secilin prej tyre. Konferenca do të vazhdojë edhe nesër.
Ajo në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK pohoi se janë pak anesteziologë.
“Sigurisht nuk jemi mirë dhe nuk krijohen brenda ditës. Duhet kohë pesë vjet për specializim. Është në proces një gjeneratë e re. Brenda një viti do të bëhen anesteziologë të rinj pa përvojë shumë, por do ta zbusin situatën”, tha ajo.
Gecaj-Gashi shtoi se në vitin 2019 në QKUK kanë qenë 65 anesteziologë, sot 47, ndërkaq arsyeja pse kanë mbetur kaq pak është se ka qenë një distancë prej katër vitesh. “Nuk është dhënë asnjë specializim për anesteziologji dhe kjo ka krijuar mungesë. Po ashtu, shkuarja në pension e disa prej kolegëve, dalja në sektorin privat dhe vdekja e pesë prej tyre që prej vitit 2020, ka krijuar mungesë të tyre”, bëri me dije ajo.
Ndër të tjera, ajo tha se ky organizim është bërë nën përkujdesjen e Shoqatës Evropiane dhe sivjet në fokus është shëndeti i nënës dhe i fëmijës.