Kosova nënshkruan memorandum mirëkuptimi me ECDC në fushën e sëmundjeve ngjitëse

Kosova nënshkruan memorandum mirëkuptimi me ECDC në fushën e sëmundjeve ngjitëse
03.05.2025

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse (ECDC) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për të forcuar bashkëpunimin në fushën e parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve ngjitëse.

Ky memorandum u nënshkrua nga znj. Pamela Rendi-Wagner, Drejtoreshë e ECDC-së, dhe Dr. Ardita Baraku, Drejtoreshë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë.

Dokumenti synon të krijojë një kuadër bashkëpunimi ndërmjet palëve përmes një sërë veprimesh konkrete, siç janë: pjesëmarrja në aktivitetet mbështetëse të ECDC-së për vendet kandidate për anëtarësim në BE, forcimi i sistemit të mbikëqyrjes dhe reagimit ndaj kërcënimeve shëndetësore, si dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale.

Përmes këtij memorandumi, palët angazhohen gjithashtu në organizimin e trajnimeve dhe zhvillimit profesional, me theks të veçantë në qasjen ndërsektoriale “One Health” për luftimin e rezistencës antimikrobike. Po ashtu, parashikohet shkëmbimi i inteligjencës epidemiologjike dhe pjesëmarrja si vëzhgues në rrjetet përkatëse të ECDC-së.

Memorandumi përcakton edhe mekanizmat e bashkërendimit të aktiviteteve të përbashkëta përmes caktimit të pikave ndërlidhëse dhe hartimit të planeve të punës vjetore dhe shumëvjeçare.

Ky hap përbën një moment kyç për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e shëndetësisë publike dhe përforcimin e kapaciteteve të Kosovës për t’u përballur me sfidat epidemiologjike, në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR).

Të fundit

Më të lexuarat