Në një partneritet me Action for Mothers and Children korporata Rugove ka filluar një fushatë ndërgjegjësimi për diabetin përmes lansimit të 1 milion shisheve të Ujë Rugove me sloganin “Diabeti nuk ndalon ëndrrat”.
Sipas Korporatës Rugove, fushata e ndërgjegjësimit për diabetin është një komponent kyç i këtyre përpjekjeve, pasi që kjo fushatë synon të mbledhë rreth 10,000 Euro nga shitja e 1 milion shisheve të ujit, secila duke kontribuar me 1 cent drejt kauzës. Kjo fushatë ka për qëllim që të adresoj nevojat urgjente të fëmijëve me diabet të tipit 1 në Kosovë. Në Kosovë, çdo vit, rreth 40 foshnja lindin me diabet të tipit 1. Aktualisht, në Klinikën Pediatrike trajtohen rreth 500 fëmijë me diabet, për të cilët klinika nuk mund t’i plotësojë tërësisht nevojat e tyre.
Fondet e mbledhura nga kjo fushatë, së bashku me fondet e mbledhura nga edicioni i 8-të Let’s Dance, do të sigurojnë blerjen e pajisjeve mjekësore bashkë me materialet shpenzuese për kontrollimin e niveleve të glukozës dhe menaxhimin e diabetit për një numër të fëmijëve që aktualisht po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë.
Fushata do të financojë renovimin e një dhome edukuese në Klinikën e Pediatrisë, ku fëmijët me diabet dhe familjet e tyre do të marrin udhëzime dhe këshilla praktike për menaxhimin e gjendjes.
BURIMI: Korporata Rugove