Komunat e Kosovës në vështirësi për furnizim me barna esenciale, kërkojnë ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë

Komunat e Kosovës në vështirësi për furnizim me barna esenciale, kërkojnë ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë
01.11.2024

Komunat e Kosovës po hasin sfida të mëdha në sigurimin e barnave esenciale. Situata është përkeqësuar, duke detyruar shumë qytetarë që të blejnë vetë barnat dhe materialet e nevojshme, gjë që ka ngritur shqetësime në nivelin lokal.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një deklaratë për Telegrafin, ka folur për këtë situatë dhe ka theksuar nevojën për ndërhyrje të shpejtë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Mungesa e barnave esenciale po shkakton vështirësi serioze në komuna, dhe ne kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë që ta trajtojë këtë çështje me përparësi,” tha Ibrahimi.

Ai shtoi se, pavarësisht premtimeve të Ministrisë, situata vazhdon të jetë e rënduar dhe kërkon një angazhim më të thellë.

“Ministria ka dhënë shumë premtime, por situata në komunat e Kosovës është ende e pafavorshme. Qytetarët detyrohen të sigurojnë vetë barnat dhe materialet e nevojshme,” shtoi ai.

Tabela më poshtë ilustron mungesën e barnave esenciale dhe materialeve shpenzuese në disa komuna të Kosovës.

Shifrat tregojnë se asnjë komunë nuk ka furnizim të plotë, duke reflektuar mungesa të mëdha. Për shembull, Lipjani ka vetëm 21.23% furnizim me barna esenciale dhe 44.06% me materiale shpenzuese, ndërsa Gjakova ka përqindjen më të lartë të furnizimit me barna esenciale (48.75%) dhe Hani i Elezit me materiale shpenzuese (80.64%).

Këto të dhëna pasqyrojnë sfidat e furnizimit për disa komuna, veçanërisht për barnat esenciale që janë të domosdoshme për kujdesin shëndetësor bazë.

Të fundit

Më të lexuarat