Kapet sasi e madhe barnash të kontrabanduara në Fushë Kosovë, arrestohen tre persona dhe intervistohen zyrtarë doganorë

Kapet sasi e madhe barnash të kontrabanduara në Fushë Kosovë, arrestohen tre persona dhe intervistohen zyrtarë doganorë
04.05.2025

Policia e Kosovës ka ndaluar sot në orët e pasdites tre persona të dyshuar që po bartnin në vetura një sasi të madhe të barnave, për të cilat dyshohet se janë futur në vend përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, pa kaluar procedurat e rregullta ligjore.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, zyrtarët nga Stacioni Policor në Fushë Kosovë kanë ndërmarrë veprimet e para, ndërsa për rastin janë njoftuar menjëherë hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NjRHKEK) – Prishtinë, të cilët kanë vazhduar trajtimin e mëtejshëm të rastit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe inspektorët farmaceutikë, të cilët kanë bërë evidentimin dhe përpilimin e procesverbalit, duke përcaktuar llojet dhe sasinë e barnave të sekuestruara. Vlera e tyre, sipas vlerësimit të inspektorëve, arrin në rreth 150 mijë euro.

Të arrestuarit janë dy shtetas turq dhe një shtetas kosovar, ndaj të cilëve janë iniciuar rastet për veprat penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore” dhe “Kontrabandë me mallra”. Pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit, të tre të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.

Hetimet kanë shkuar edhe më tej. Nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, janë intervistuar dy zyrtarë doganorë që kryenin detyrën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Në koordinim me prokurorinë e rastit, është marrë vendimi që njëri nga zyrtarët doganorë të dërgohet në mbajtje, ndërsa për tjetrin procedura do të vazhdojë në mënyrë të rregullt.

Policia ka konfirmuar se hetimet janë në zhvillim e sipër dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore për zbardhjen e plotë të këtij rasti që ndërlidhet me kontrabandën dhe qarkullimin e paligjshëm të produkteve mjekësore.

Të fundit

Më të lexuarat