Itali, fillon dezinfektimi në Campiano pas zbulimit të një rasti me virusin Dengue

Itali, fillon dezinfektimi në Campiano pas zbulimit të një rasti me virusin Dengue
04.05.2025

Pas konfirmimit të një rasti me virusin tropikal Dengue në zonën e Comos, autoritetet kanë nisur menjëherë masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.

Dezinfektimi po kryhet në distriktin Olmeda të komunës së Campiano nga data 3 deri më 5 maj, me mbështetjen e Mbrojtjes Civile dhe një kompanie të specializuar në trajtime dezinfektuese.

Kryetari i bashkisë, Emanuele Cappelletti, nënshkroi një urdhëresë të posaçme në përgjigje të kërkesës së bërë nga ATS Insubria, duke sqaruar detajet e ndërhyrjes dhe masat paraprake për banorët e zonës së prekur.

Sipas njoftimit zyrtar, trajtimet do të realizohen për tri netë rresht, nga ora 2 deri në orën 6 të mëngjesit, në një rreze prej 200 metrash, si në zona publike ashtu edhe private.

“Edhe pse po përdoren produkte të aprovuara nga Ministria me toksicitet shumë të ulët për njerëzit, kafshët dhe mjedisin, rekomandojmë që dritaret të mbahen të mbyllura, rrobat të mos thahen jashtë dhe kafshët shtëpiake të qëndrojnë brenda gjatë trajtimeve”, theksohet në urdhëresën e bashkisë.

Autoritetet gjithashtu këshillojnë qytetarët që çdo produkt kopshtarie të mblidhet dhe të konsumohet vetëm 72 orë pas përfundimit të trajtimit të fundit, pas një larjeje të kujdesshme.

Kjo ndërhyrje është pjesë e strategjisë parandaluese për të ndalur përhapjen e virusit Dengue, i cili transmetohet nga mushkonjat dhe zakonisht nuk është i zakonshëm në këto zona.

Të fundit

Më të lexuarat