Interesim i madh për IVF në SHSKUK: 420 raste të klasifikuara, nis faza e dytë në mars

Interesim i madh për IVF në SHSKUK: 420 raste të klasifikuara, nis faza e dytë në mars
03.03.2025

Shërbimi i Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF) në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, i cili ka filluar për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar në shëndetësinë publike të Kosovës, po zgjon interesim të jashtëzakonshëm te çiftet që përballen me infertilitet.

Ky shërbim po ofrohet falas për dy herët e para, ndërsa procedura e tretë do të kushtojë rreth 670 euro – një mundësi shumë më e përballueshme krahasuar me çmimet në sektorin privat, ku një cikël IVF kushton deri në 3000 euro.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, ka bërë të ditur për “Indeksonline” se deri më tani janë klasifikuar 420 raste, ndërsa dhjetëra të tjera janë në pritje për ekzaminim dhe konsultime.

“Interesimi është shumë i madh. Për 420 raste tashmë janë kryer konsultat dhe përpunimi i diagnozave, ndërsa vazhdojmë me ekzaminimet për rastet e tjera që presin klasifikim,” ka thënë Ndrejaj.

Aktualisht, klinika është në pritje të barnave hormonale për të nisur fazën e dytë të procesit në mars, që përfshin stimulimin e vezorëve tek rastet e para. Ndërkohë, mediumet e nevojshme për rritjen e qelizave tashmë janë siguruar.

Faza e tretë dhe përfundimtare, ajo e fertilizimit, pritet të fillojë në prill ose maj. Për gratë mbi moshën 42 vjeçare, të cilat e kanë më të vështirë këtë proces, Ndrejaj ka sqaruar se vendimi për përfshirjen e tyre në IVF i takon një komisioni të veçantë pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky shërbim i ri paraqet një hap të rëndësishëm në shëndetësinë publike të Kosovës, duke u ofruar shpresë çifteve që synojnë të bëhen prindër.

Të fundit

Më të lexuarat