Instituti për Kërkime dhe Aplikime Psikologjike bëhet anëtar i Federatës Botërore të Psikoterapisë

Instituti për Kërkime dhe Aplikime Psikologjike bëhet anëtar i Federatës Botërore të Psikoterapisë
10.05.2025

Instituti për Kërkime dhe Aplikime Psikologjike është tashmë zyrtarisht anëtar i Federatës Botërore të Psikoterapisë (World Federation for Psychotherapy – WFP), një prej organizatave më prestigjioze në rang ndërkombëtar në fushën e psikoterapisë dhe shëndetit mendor.

Lajmi u bë i ditur nga profesori Fitim Uka përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku theksoi rëndësinë e këtij zhvillimi për komunitetin psikoterapeutik në Kosovë dhe më gjerë. Në të njëjtën kohë, u njoftua se edhe Asociacioni i Psikoterapisë së Kohezionit të Brendshëm i Kosovës është pranuar si anëtar me të drejta të plota në këtë federatë globale.

Federata Botërore e Psikoterapisë është organizata më e madhe dhe më e vjetër në botë në këtë fushë, me mbi 30 mijë anëtarë të shpërndarë në të gjitha kontinentet. Pranimi i Institutit dhe Asociacionit nga Kosova në këtë organizatë përbën një njohje të rëndësishme ndërkombëtare për kontributin dhe zhvillimet e fundit në psikoterapi që po ndodhin në vend.

“A nuk është ky një lajm i jashtëzakonshëm? Për ne, kjo përfaqëson kulmin e një suksesi të rrallë – të një psikoterapie që lindi vetëm tre vite më parë, që fillimisht foli shqip, por që sot njihet, pranohet dhe respektohet në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Instituti.

Në këtë njoftim u shpreh gjithashtu mirënjohje e thellë për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në konceptimin, zhvillimin dhe avancimin e qasjes terapeutike të njohur si Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm – një qasje që po ndryshon jetët e njerëzve, duke tejkaluar kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë.

Ky zhvillim i ri konsiderohet jo vetëm si një arritje për Institutin dhe profesionistët që e përfaqësojnë, por edhe si një hap i madh për njohjen e shkencës psikologjike shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Të fundit

Më të lexuarat