Incident në QKUK: Dëmtohet vetura e ushtruesit të detyrës së drejtorit

Sot, në hapësirën e parkingut të administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së.
Vetura ishte e parkuar në parkingun zyrtar të administratës në momentin kur ndodhi ngjarja.
Incidenti ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, në kohën kur stafi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) po bënte përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues, e paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore.
Lidhur me rastin, janë njoftuar menjëherë organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila ka filluar procedurat hetimore për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe motivet e mundshme që çuan në këtë veprim.
ShSKUK ka reaguar përmes një komunikate duke shprehur shqetësim dhe keqardhje për këtë ngjarje, dhe ka deklaruar gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht me autoritetet përkatëse në ndriçimin e rastit.
Autoritetet mbeten në pritje të përfundimit të hetimeve për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një incident të rastësishëm apo veprim të qëllimshëm.