Humb jetën në një aksident trafiku kirurgu vaskular Jetmir Gashi nga Suhareka

Një aksident tragjik ka ndodhur sot pasdite në Carralevë, ku janë përplasur një veturë dhe një autobus. Si pasojë e këtij aksidenti, një person ka humbur jetën në vend.
Lajmi është konfirmuar nga Policia, ndërsa viktima është identifikuar si Jetmir Gashi, kirurg vaskular nga Suhareka. Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur miqtë dhe familjarët, të cilët tashmë kanë shprehur ngushëllimet e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:25, ndërsa rreth orës 19:00 është konfirmuar se përplasja ka rezultuar fatale për 42-vjeçarin. “Menjëherë janë thirrur të gjitha ekipet e nevojshme për të dalë në vendin e ngjarjes. Në vendngjarje kanë dalë të gjitha ekipet përgjegjëse, përfshirë eprorët e Stacionit Policor të Suharekës dhe të Trafikut Rajonal-Prizren”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë, Bytyqi.
Hetimet mbi shkaqet e aksidentit po vazhdojnë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të kenë kujdes të shtuar në trafik.