Gripi sezonal pushton rajonin: Gati 8000 raste të raportuara në Kosovë

Kosova është ndër vendet e rajonit që po përjeton një rritje të ndjeshme të rasteve me grip sezonal, me gjithsej 7,910 raste të raportuara.
Sipas të dhënave të publikuara, që përfshijnë periudhën nga 30 shtatori 2024 deri më 26 janar 2025, situata epidemiologjike në rajon është rënduar ndjeshëm.
Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria kryeson me 23,400 raste, e ndjekur nga Serbia me 10,000 raste.
Kosova renditet në vendin e tretë, ndërsa Maqedonia e Veriut ka raportuar 4,674 raste. Mali i Zi ka regjistruar vetëm 81 raste, ndërkohë që për Bosnje e Hercegovinën nuk janë publikuar të dhëna për këtë vit.
Përhapja e shpejtë e gripit sezonal ka çuar në tejkalimin e pragut epidemik në disa vende të rajonit. Institucionet shëndetësore kanë ngritur alarmin për situatën e rënduar epidemiologjike, duke theksuar nevojën për masa të shtuara higjienike dhe vaksinim, veçanërisht për grupet më të rrezikuara si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë po ndjekin nga afër zhvillimet dhe bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se gjatë dimrit gripi sezonal prek rreth 1 miliard njerëz në mbarë botën.