Goranci-Haxhiu: Çdo vaksinë parandalon një sëmundje vdekjeprurëse

Me moton “Imunizimi është i mundshëm për të gjithë” me aktivitete të ndryshme në Kosovë po shënohet Java Botërore e Imunizimit. Edita Goranci Haxhiu, përgjegjëse për imunizim nga Zyra e OBSh-së në Prishtinë, theksoi se jorastësisht është vendosur ky slogan. Sipas saj, vaksinimi është i mundshëm për të gjithë qytetarët në Kosovë. Vaksinat janë falas dhe jepen në çdo qendër të mjekësisë familjare.
Ajo në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se të gjitha vaksinat të cilat i kemi në Kosovë janë në shërbim të popullatës dhe se askush nuk ka nevojë të bëjë termin.
“Në një mënyrë shumë të lehtë, shumë efikase, i vaksinojmë fëmijët tanë, e vaksinojmë popullatën me një produkt imunobiologjik, i cili shumë lehtë administrohet edhe bën mrekulli. Çdo vaksinë që e kemi në përdorim parandalon një sëmundje vdekjeprurëse e cila lë pasoja”, tha ajo.
Ndër të tjera, ajo tha se çdo vaksinë e re që zbulohet është lajm i mirë për epidemiologët.
“Është shumë e dhimbshme për krejt profesionistët shëndetësorë të vdesë një fëmijë nga një sëmundje kur vaksina ekziston. Rasti i fundit ka qenë në vitin 2018, kur e kemi humbur një fëmijë i cili nuk ka qenë i vaksinuar, nuk e ka marrë vaksinën kundër fruthit”, shtoi ajo.