Gjermania po shqyrton taksën mbi sheqerin: Cilat janë përfitimet?

Një numër vendesh tashmë kanë vënë taksa në ushqimet dhe pijet me përmbajtje të lartë sheqeri.
Cili model ka dalë më efektiv? Obeziteti dhe diabeti janë në rritje në të gjithë botën. Në Gjermani, rreth gjysma e të rriturve janë disi mbi peshë, dhe pothuajse një në pesë është obez. Më shumë se 7% e popullsisë gjermane ka diabet dhe ky numër po rritet. Konsumi i tepruar i sheqerit shkakton sëmundje dhe përbën një barrë për buxhetin publik: Kur individët janë shumë të sëmurë për të punuar, kostot e sigurimeve shëndetësore rriten.
Prandaj, vëmendja tani është përqendruar te ndikimi i pijeve me sheqer. Konsumi i pijeve të gazuara, kolave, pijeve energjike dhe të ngjashme shihet si një faktor kryesor në rritjen e obezitetit në të gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) prej kohësh ka rekomanduar që këto pije të taksohen. Ministri gjerman i Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Özdemir nga të Gjelbrit, i mbështetur nga nëntë prej 16 landeve federale të vendit, është në favor të kësaj ideje. Landet tani po i bëjnë thirrje qeverisë federale të Gjermanisë të shqyrtojë futjen e një takse mbi sheqerin.
Shumë përfitime
Sipas një studimi të nëntorit 2023 nga Universiteti Teknik i Mynihut, një taksë e veçantë për pijet me sheqer mund të jetë shumë efektive. Studiuesit llogaritën se kjo masë mund të parandalojë deri në 240,000 raste të diabetit të tipit 2 gjatë 20 viteve të ardhshme. Ajo gjithashtu mund të ndihmojë në shmangien ose zvogëlimin e mundësisë për 17,000 deri në 30,000 vdekje, sipas parashikimeve të shkencëtarëve.
Në total, mund të kursehen deri në 16 miliardë euro gjatë kësaj periudhe, ndërsa vetëm në sistemin shëndetësor mund të kursehen 4 miliardë euro, pasi do të shmangeshin më shumë raste të sëmundjeve të lidhura me obezitetin. Në përgjithësi, fuqia punëtore gjermane do të kishte më pak ditë të humbura për shkak të sëmundjeve dhe do të kishte më pak pensionime të parakohshme apo vdekje në moshën e punës. Në fakt, e gjithë ekonomia gjermane do të përfitonte nga një taksë mbi pijet me sheqer.
Një taksë e tillë mund të ulë indeksin e masës trupore te fëmijët dhe të rinjtë, në veçanti, sipas një studimi të fundit nga Universiteti i Uashingtonit në Seattle, i cili përfshinte rreth 6,000 pjesëmarrës. Studiuesit në Universitetin Teknik të Mynihut theksojnë se adoleshentët janë më të prirur të konsumojnë pije me sheqer, që do të thotë se një taksë mund të sjellë përfitime shtesë për shëndetin në këtë grupmoshë.
Si po i trajtojnë vendet e tjera ushqimet dhe pijet e ëmbla
Mbi 50 vende në botë kanë futur tashmë një taksë mbi pijet e gazuara, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Spanjën dhe Poloninë, si dhe Indinë, Afrikën e Jugut, Kilin dhe Arabinë Saudite. Ja disa shembuj:
Norvegjia
Norvegjia ka filluar të taksojë ushqimet e ëmbla shumë vite më parë, duke futur taksën e parë në vitin 1922. Ajo aplikohet për sheqerin dhe ëmbëlsuesit artificialë. Ironikisht, fqinja e saj Suedia përfiton indirekt nga kjo taksë, pasi shumë norvegjezë kalojnë kufirin për të blerë çokollatë më të lirë atje. Në vitin 2018, qeveria norvegjeze e rriti taksën me rreth 80%, duke shkaktuar një rënie të shitjeve të pijeve të gazuara.
Meksika
Meksika filloi të taksojë pijet e gazuara me sheqer me 1 peso (0.50 euro) për litër në vitin 2014. Kjo përkon me një barrë tatimore prej rreth 10%. Taksimi shkaktoi një rënie drastike në shitjet e pijeve të ëmbla vitin pasues dhe u konsiderua një histori suksesi për shumë vite. Megjithatë, shumë konsumatorë që atëherë kanë kaluar te lëngjet e frutave dhe produktet e qumështit të ëmbëlsuara, të cilat nuk janë subjekt i taksës mbi sheqerin, duke minuar pjesërisht përfitimet e saj shëndetësore.
India
India futi pijet me sheqer në kategorinë e saj më të lartë të taksave. Të gjitha pijet që kanë sheqer të shtuar gjatë prodhimit bien në këtë kategori. Konsumatorët paguajnë 28% taksë, ashtu si për makinat luksoze dhe produktet e duhanit. Kjo ka rritur çmimin e këtyre pijeve, duke shkaktuar një rënie në shitje. Autoritetet nuk kanë inkurajuar, megjithatë, prodhuesit që të ulin sasinë e sheqerit në pijet e tyre, kështu që ato ende shiten.
Sistemi me dy nivele taksimi
Gjermania mund të frymëzohet nga modeli britanik i taksimit të ushqimeve me sheqer. Në vitin 2018, qeveria britanike futi një sistem me dy nivele: 18 pens për litër për pesë gram sheqer për 100 mililitra dhe 24 pens për tetë gram ose më shumë. Kjo çoi në një ulje të shpejtë të konsumit të pijeve me sheqer dhe krijoi një nxitje për prodhuesit që të reduktonin ndjeshëm përmbajtjen e sheqerit në pijet e tyre. Si rezultat, shumë prodhues kanë ulur nivelet e sheqerit në pijet e tyre.
Në Gjermani, prodhuesit janë inkurajuar që të ulin nivelet e sheqerit në pije në mënyrë vullnetare: deri më tani kjo ka pasur pak efekt. Mesatarisht, prodhuesit kanë ulur përmbajtjen e sheqerit në pijet e gazuara dhe energjike vetëm me 2%. Vendet me taksa të niveleve të ndryshme mbi sheqerin kanë pasur rezultate më të mira. Mbretëria e Bashkuar, për shembull, pa një rënie mesatare prej 29% të përmbajtjes së sheqerit në pijet e gazuara në tre vitet e para.
Studiuesit në Universitetin Teknik të Mynihut kanë treguar se taksimi i prodhuesve bazuar në sasinë e sheqerit në produktet e tyre është më efektiv.